(VIDEO) Shtatë kandidatë në betejën për “vilën Vodno”, shtatë të tjerë dështuan që në start
Kandidatët për president dhe deputetë, do të shfrytëzojnë orët e fundit për të grumbulluar nënshkrimet e nevojshme, pasi në mesnatë përfundon afati për sigurimin e 10 000 nënshkrimeve. Prej 15 kandidatëve për presidentë sa janë paraqitur në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, vetëm 7 prej tyre kanë arritur të mbledhin numrin e duhur të nënshkrimeve të qytetarëve dhe të sigurojnë një vend në garën për kreun e shtetit.
Minimumin e nevojshëm prej 10.000 nënshkrimeve për kandidaturën presidenciale deri më tani e kanë fituar: kandidati i BDI-së Bujar Osmani, kandidati i koalicionit VLEN Arben Taravari, Maksim Dimitrievski nga Lëvizja ZNAM, Stevço Jakimovski i partisë GROM, Biljana Vankovska-Cvetkovska nga partia Levica, si dhe kandidatët e LSDM-së, Stevo Pendarovski dhe e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova.
Tetë kandidatët e tjerë janë ende në proces të mbledhjes së nënshkrimeve. Gjegjësisht, tek ata numri i nënshkrimeve të mbledhura lëviz në interval nga 0 deri në 2 100 nënshkrime. Pra, ata ende janë larg numrit të nevojshëm të nënshkrimeve të duhura dhe vështirë që mund të sigurojnë 10 000 nënshkrimet.
Mbledhja e nënshkrimeve të qytetarëve për kandidaturat presidenciale dhe deputetëve në zyrat rajonale të KSHZ-së dhe te noterët e autorizuar filloi më 23 shkurt.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill dhe i dyti më 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.
Emine Ismaili /SHENJA/