(VIDEO) Shqipëria nesër voton, mbi 3.7 milionë shqiptarë do të zgjedhin 140 deputetët e Kuvendit të ri

MARKETING
Qytetarët shqiptarë të dielën votojnë në zgjedhjet e 11 parlamentare. Fushata zgjedhore në Shqipëri u mbyll zyrtarisht mbrëmjen e së premtes, duke i hapur rrugën heshtjes elektorale që nisi në mesnatë dhe do të zgjasë deri në ditën e votimit, më 11 maj. Pas javësh të tensionuara me aktivitete politike intensive, mitingje të shumta dhe përplasje mes forcave rivale, vendi ndodhet tashmë në një moment qetësie dhe reflektimi.
Risi në këto zgjedhje parlamentare është vota e diasporës, ku për të zgjedhur për Parlamentin e ri janë regjistruar 245.935 emigrantë shqiptarë. Kjo përfshirje për herë të parë e votuesve jashtë vendit pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në rezultatin përfundimtar.
Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvend janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë paraqitur në lista të hapura dhe të mbyllura. Secili subjekt garon me 186 kandidatë në listën zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku 46 prej tyre janë nga lista e mbyllur.
Partitë kryesore që garojnë në zgjedhje janë partia në pushtet, Partia Socialiste e drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike, e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Numri i përgjithshëm i zonave zgjedhore është 12-të dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga tre mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në 37 mandate për Qarkun e Tiranës.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit.
Në të gjithë vendin do të jenë 5.225 qendra të votimit, ndërkohë procesi i votimit dhe numërimit të votova në disa qendra do të kryhet nëpërmjet pajisjeve elektronike të votimit dhe numërimit.
Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill 2025 dhe aktualisht ky proces vazhdon dhe realizohet në rrugë postare. Votimi nga jashtë vendit konsiderohet si një moment historik për proceset zgjedhore në Shqipëri, pasi për herë të parë qytetarët shqiptarë votojnë nga jashtë territorit të vendit. /SHENJA/