(VIDEO) Shqipëria dhe Kosova festojnë Bajramin, sheshi “Skënderbej” mbushet me besimtarë

(VIDEO) Shqipëria dhe Kosova festojnë Bajramin, sheshi “Skënderbej” mbushet me besimtarë

Në Shqipëri, programi qendror për faljen e namazit të Fitër Bajramit u mbajt në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.  Pjesë e ceremonisë qendrore në kryeqytetin e Shqipërisë ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hutbeja.  Falja e namazit të fitër Bajramit u bë nën drejtimin e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu. Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë.

Besimtarë të shumtë janë mbledhur së bashku edhe në xhamitë e tjera të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë.

Ndërkaq, në Kosovë, ceremonia kryesore është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fatih”.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi uroi besimtarët për këtë festë në mesazhin e festës, bëri thirrje për unitet.  Tërnava tha se Fitër Bajrami është festa më popullore të cilën e presin të gjitha grupmoshat.

Naim Tërnava

“Në këtë mëngjes të bukur, ballëhapur e krenarë, jemi mbledhur në xhamitë tona anekënd vendit për të festuar Fitër Bajramin me namaz e lutje, festë e cila bart në vete gëzimin, harenë, lumturinë e çiltërsinë në shpirtin dhe zemrën e besimtarit. Të gjithë besimtarët gjithandej globit me plot arsye sot festojnë, urojnë e gëzojnë sepse një muaj me bindje e përkushtim kanë zbatuar urdhërin e Krijuesit të Gjithësisë”.

Tërnava tha se “agjërimi për besimtarin është sakrificë që bëhet vetëm për Krijuesin”.  Sipas tij, “braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë.  Në mesazhin e tij, Tërnava ka bërë me dije se të gjithë duhet të bëjnë përpjekje për ta ndërtuar të ardhmen në Kosovë.

/SHENJA/

MARKETING