(VIDEO) Shqipëri, mbahet paneli për jetën dhe veprën e Sami Frashërit
Në Tiranë është organizuar paneli me temë “Sami Frashëri – Jeta dhe vepra e tij”, me pjesëmarrjen e studiuesve nga Shqipëria dhe Turqia, ndërkohë në hapje të aktivitetit ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke dhe shqiptare, studiues dhe studentë, raporton Anadolu.
Paneli është organizuar në kuadër të 120-vjetorit të vdekjes së Sami Frashërit, nga Qendra e Studimeve Ballkanike, në Universitetin e New Yorkut në Tiranë (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në hapje të aktivitetit, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, tha se Sami Frashëri është një nga ato simbole që bashkon dy popuj.
PIRO MISHA, DREJTOR I BIBLIOTEKËS KOMBËTARE
“Këtu shkojmë më thellë në analizën e tij dhe për me tepër duke theksuar atë që karakterizon Sami Frashërin, një figurë që bashkon dy kultura, që është e rëndësishme për kulturën shqiptare, një nga figurat bazë të Rilindjes sonë Kombëtare, por njëkohësisht është mjaft e rëndësishme edhe për kulturën turke”.
Rektori i UNYT-së, Prof. Dr. Ali Gynesh, në fjalën e tij falënderoi përfaqësuesit e institucioneve shqiptare për mbështetjen për organizimin e aktivitetit dhe shtoi se shpreson se nga paneli do të përfitojnë të gjithë pjesëmarrësit.
ALI GYNESH, REKTOR I UNYT-SË
“Edhe pse Sami Frashëri ishte me origjinë shqiptare, ai dha kontribut të madh dhe prodhoi vepra për të dyja palët. Me këtë rast, ne bëjmë një udhëtim të shkurtër në histori dhe shohim se si Sami Frashëri bashkoi dhe prezantoi artistikisht këndvështrimet e të dy vendeve para lexuesve”.
Prof. asoc. dr Lindita Xhanari Latifi, e cila përshëndeti në emër të Qendrës së Studimeve Ballkanike, tha se veprimtaria e Sami Frashërit vazhdon të jetë ende burim frymëzimi për brezat e rinj.
LINDITA XHANARI LATIFI, QENDRA E STUDIMEVE BALLKANIKE
“Sami Frashëri, i njohur si gjuhëtar, leksikograf, enciklopedist, romancier, dramaturg dhe përkthyes është ndër filologët më të shquar të dy vendeve tona dhe ndër ideologët e Rilindjes sonë Kombëtare. Me veprën e tij ai la gjurmë të thella në letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe turke, duke përhapur idealet e lirisë dhe përparimit”.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe zv.dekania e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, Edlira Macaj. /SHENJA/