(VIDEO) Shkupi sërish në top dhjetëshen e qyteteve më të ndotura në botë
Sot Shkupi ka zënë vendin e katërt për nga ndotja e ajrit në botë. Sipas Patformës për Cilësinë e Ajrit në Botë, ajri në kryeqytet aktualisht shënohet në kategorinë “i pashëndetshëm”, me indeksin e ndotjes 168. Sipas raporteve të platformës, aktualisht, ndotësit kryesor të listuar janë grimcat PM 2.5 me përqendrim 79.5 mikrogramë për metër kub, ndërsa grimcat PM 10 kanë një përqendrim prej 83.9 mikrogramë për metër kub. Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për cilësinë e ajrit, përqendrimi i PM 2.5 në kryeqytet është aktualisht 15.9 herë më i lartë se vlera vjetore.
Përkundër të gjithave, qyteti më i ndotur në botë për momentin është Sarajeva në Bosnje dhe Hercegovinë, ku indeksi i ndotjes së saj është 228. Pasohet nga Delhi (Indi) dhe Lahore (Pakistan).
Ndërkaq LSDM akuzon pushtetin për këtë situatë tmeruese. Ata reagojnë ashpër kundrejt vendimit të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm të Qeverisë së Mickoskit për uljen e parave të destinuara për luftimin e ndotjes dhe sigurimin e ajrit të pastër.
LSDM
“Ky vendim është neglizhencë dhe injorim i nevojave elementare të qytetarëve, kjo është goditje për shëndetin e qytetarëve. Në kushte të tilla, vendimi i qeverisë për të ulur paratë në buxhetin e vitit 2025 për ajrin e pastër me 51% dhe me 25% për mjedisin është jashtëzakonisht i dëmshëm për shëndetin e njerëzve. Edhe për energjinë ka më pak para, paratë për gazifikimin janë përgjysmuar, ndërsa Qeveria në Kuvend ende nuk ka pranuar asnjë amendament të LSDM-së për të siguruar më shumë mjete”.
Sipas LSDM-së qytetarët janë lënë të mbyten, dhe se Qeveria e Mickoskit tregon se nuk ka ndërmend të marrë asgjë kundër ndotjes.
Anida Murati /SHENJA