(VIDEO) Shkupi i pari në Evropë për nga ndotja e ajrit

(VIDEO) Shkupi i pari në Evropë për nga ndotja e ajrit

Qytetarët e Shkupit u zgjuan sot sërish me shifra alarmante të ndotjes së ajrit. Aplikacionet e matjes së cilësisë së ajrit kanë treguar se mëngjesin e sotëm, Shkupi u gjend në vendin e parë për ajrin më të ndotur në Evropë, ndërsa në nivel botëror ishte në vendin e 21-të. Ajri më i ndotur është matur në Karposh, ku indeksi i ndotjes deri në mesditë ka qenë 168, që në gjuhën mjekësore do të thotë i pashëndetshëm për të gjithë qytetarët, ndërsa ajër shumë i ndotur është matur edhe në Qendër ku indeksi i ndotjes në mesditë ka shkuar në 149.

Ndërkaq, aplikacioni “Aj kju er” e nxjerr hartën e gjithë qytetit të Shkupit me ngjyrë të portokalltë, që nënkupton se ajri në gjithë territorin e qytetit është i pashëndetshëm për grupet e ndjeshme të qytetarëve.  Nga qytetet evropiane, pas Shkupit renditen Amsterdami, Sarajeva dhe Beogradi, ndërsa në nivel botëror ajrin më të ndotur e thithin banorët e Lahorit (Pakistan), Delhit (Indi) dhe Karaçit (Pakistan).

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ditë më parë lëshoi rekomandime për qytetarët për mbrojtje nga ndotja.

Ministria e Ekologjisë

  • Ndalim i djegies në hapësirë të hapur
  • U rekomandohet të gjitha subjekteve juridike (punëdhënësve) që t’i lirojnë nga obligimet e punës gratë shtatzëna, personat mbi moshën 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, me infarkt të kaluar të miokardit ose goditje në tru, pa marrë parasysh moshën, me rekomandim të mjekut amë
  • U rekomandohet të gjitha subjekteve juridike (punëdhënësve) që ta riorganizojnë orarin e punës dhe personat që punojnë në ambiente të hapura të punojnë nga ora 11:00 deri në ora 17:00
  • Rekomandohet të mos organizohen gara sportive dhe manifestime të tjera kulturore në ambiente të hapura.

Nga ministria po ashtu, kanë rekomanduar të intensifikohen mbikëqyrjet e jashtëzakonshme inspektuese ndaj instalimeve me Leje Ekologjike të Integruar të tipit A, B dhe Elaborate, të intensifikohen kontrollet e jashtëzakonshme të gjendjes teknike të automjeteve, veçanërisht atyre me karburant dizel dhe automjeteve të paregjistruara si dhe të intensifikohen kontrollet e jashtëzakonshme në kantieret e ndërtimit.

Kujtojmë se, iniciativa qytetare “Stop për Usje” bënë thirrje që të enjten, më 25 dhjetor, të bllokohet kryqëzimi mes bulevardeve “Boris Trajkovski” dhe “Serbia”, ku, siç deklaruan nga iniciativa, do t’u paraqiten kërkesa institucioneve kompetente me qëllim zgjidhjen përfundimtare dhe të qëndrueshme të problemit të ndotjes së ajrit në Shkup, e cila, sipas tyre, shkaktohet nga veprimtaria e Cementares “Usje”. Nga cementarja e Shkupit “Titan-Usje” i hodhën plotësisht poshtë akuzat se veprimtaria e saj është shkaku i ajrit të ndotur në kryeqytet, duke theksuar se pretendime të tilla janë të pavërteta, pasi nuk bazohen në të dhëna dhe fakte shkencore të matshme.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING