(VIDEO) Shkollat po mbyllen, arsimtarët mbesin, për 7 vjet 17 mijë nxënës më pak
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se asnjë mësimdhënës nuk do të pushohet nga puna gjatë procesit të optimizimit të rrjetit shkollor, edhe pse, siç theksoi ajo, në shtatë vitet e fundit numri i nxënësve është ulur me 17 mijë.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT
“Jam e vetëdijshme se ka reagime lidhur me optimizimin, por po e përsëris – askush nuk do të pushohet nga puna”.
Ajo theksoi se optimizimi i rrjetit shkollor dhe organizimi i mësimit me një ndërrim janë ndër proceset më të rëndësishme aktuale në arsim. Sipas saj, mësimi me një ndërrim tashmë është vendosur në më shumë se 200 shkolla. Janevska tha se para dy vitesh, kur mori detyrën, kishte gjetur probleme serioze në sistemin arsimor, por se tani fokusi është vendosur te cilësia e arsimit dhe e shkencës.
Ajo informoi se është rritur edhe mbështetja për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore. Në arsimin fillor janë angazhuar 1.350 asistentë arsimorë, ndërsa për herë të parë 150 asistentë janë përfshirë edhe në arsimin e mesëm.
Sipas Janevskës, në infrastrukturën arsimore janë investuar rreth 70 milionë euro për më shumë se 90 projekte. Ajo veçoi ndërtimin e objekteve të reja shkollore dhe sallave sportive, rindërtimin e konvikteve studentore, zhbllokimin e ndërtimit të objektit të ri për Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI), si dhe procedurën për ndërtimin e objektit të Fakultetit të Kulturës Fizike, Sportit dhe Shëndetit.
/SHENJA/

