(VIDEO) Shënohet 7 Marsi- Dita e mësuesit, profesor Miftari: Puna jonë është mision, jo vetëm profesion
Sot të gjithë shkollat shqiptare festojnë 7 marsin-Ditën e Mësuesit. Profesori Naser Miftari, për Televizionin Shenja, deklaroi se kjo datë duhet shkruar me shkronja të arta në historinë kombëtare, pasi sipas tij, ka të bëjë për të ardhmen e një kombi të tërë.
Profesori Miftari tha se puna e mësuesit është mision dhe se pesha e mësuesit dhe e qiellit nuk maten.
NASER MIFTARI-PROFESOR
“Unë jo pse i përkas kësaj sfere, por do ta them me shumë gojë, se pos mos të ishte mësuesi, nuk do të ishim ndoshta ne me gjithë këto të arritura, që sot krenohemi si qenie njerzore, psikologjike, intelektuale e kështu me radhë. Llogaritet të jetë mësuesi i parë Konfuçi, nëse e marrim këtë pikë referimi atëher kur të elaborojmë popullin, nga ai dilte do të na tregojë shumë se mësimi vërtet është arritje”.
Për profesionin, profesori Naser Miftari tha se vështirësia dhe kënaqësia në këtë drejtim shkojnë në mënyrë paralele. Duket e vështirë por po aq të jep edhe kënaqësi.
NASER MIFTARI-PROFESOR
“Si mësues i dy gjeneratave, i dy sistemeve, mund të flasim shumë çfarë për mësuesin e atij sistemi, që me të vërtet ishte kënaqësi dhe mirë, por, poashtu si ai sistem edhe ky bartë ato negativet. Ajo që dallon sot është se nuk kemi të bëjmë si mësues , me nxënës të cilët nuk i njohin elementaret, për të hyrë në të mësuar. Kemi të bëjmë me një gjeneratë, që në bazë të një informacioni është tejet të pasur, tejet të begatë dhe cili është roli i mësuesit në këtë situatë, për dallim nga ajo dikur, që me të vërtet mësuesi ishte gjithçka për nxënësin për edhe më shumë se nxënësit”.
Përndryshe, 7 marsi -Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve.
Kjo datë ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqipe, në fakt ka filluar të kujtohet, që nga viti 1960-të, kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe të Korçës, e cila u themelua më 7 mars 1887.
Samir Mustafa /SHENJA/