(VIDEO) Sërish në krye të gjykatës së Kumanovës gjykatësja me sjellje joprofesionale
Këshilli Gjyqësor e rizgjedh kryetare të Gjykatës Themelore të Kumanovës, gjykatësen Snezhana Manev, edhe përkundër punës joprofesionale të saj mandatin e kaluar, e konstatuar kjo edhe nga vet Këshilli.
Në seancën e sotme, Këshilli Gjyqësor, me 9 vota “për” dhe vetëm 1 “kundër”, gjykatëses Manev ju besua edhe një mandat, nën arsyetimin se ajo ka qenë kandidatja e vetme që i ka plotësuar kushtet e vendosura në konkurs.
Përndryshe, nën udhëheqjen e Snezhana Manev në krye të Gjykatës së Kumanovës, në raportin e 1 shkurtit 2023 kishte konstatuar shkelje të shumta, procedura joligjore dhe sistemimit joadekuat si dhe qasje nacionale dhe nënçmuese ndaj gjykatësve shqiptar, duke përdorur terme si “shqiptari, të paaftë” dhe “gjedhe”. Shkeljet e Manevas ishin miratuar edhe në raportin e 13 marsit të Këshillit Gjyqësor.
Po ashtu ajo i është nënshtruar dy herë testimit psikologjik. Më 4 korrik kur Maneva i ishte nënshtruar testimit, Instituti për Hulumtime Juridike, Politike dhe Sociologjike kishte konstatuar se ajo nuk ka arritur të kalon testimin me sukses. Kështu asaj i jepet edhe një mundësi për të ju nënshtruar testimit. Gjë të cilën do e bëjë më më 31 gusht, pas të cilit Instituti kishte njoftuar dhe rekomanduar që Maneva i plotëson kushtet që të zgjidhet kryetare e Gjykatës Themelore të Kumanovës.
Për ironi të fatit, në korrik të vitit 2023 në Gjykatën Themelore të Kumanovës u shkaktua zjarr dhe u dogj pikërisht një pjesë e arkivit të Gjykatës, shkaqet zyrtare të së cilit rast, nuk u bënë të njohura për opinionin.
Më 11 mars të këtij viti ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga adresoi kërkesë tek Këshilli Gjyqësor që të ndërmerr masa urgjente ndaj ushtrueses së detyrës kryetare e Gjykatës së Kumanovës sepse siç pati thënë nuk guxon të krijohet një praktikë e paligjshme, që një gjyqëtar që nuk e ka kaluar testin psikologjik të personalitetit dhe testin e integritetit, të mund t’i nënshtrohet testit sërish. Gjykatësja Manev si drejtuese e Gjykatës së Kumanovës për të parën herë u zgjodh më 23.11.2017.
Emine Ismaili /SHENJA/