(VIDEO) Sërish mbeten pa vendime të punësuarit e spitalit të Tetovës
Dhjetëra punonjës dhe vullnetarë të Spitalit të Tetovës sot kanë protestuar duke kërkuar rishqyrtim të konkursit të fundit dhe punësim të atyre që me vite janë me kontrata dhe përvojë. Ata akuzojnë drejtuesit dhe përfaqësuesit politikë për thyerje premtimesh, duke theksuar se nga konkursi janë pranuar persona nga jashtë dhe pa përvojë.
Ardit Ibraimi,
“Na është thënë qartë se fillimisht do të rregulloheshin punonjësit që janë tashmë brenda spitalit me gati 7-8 vite përvojë dhe pastaj ne vullnetarët që kemi shërbyer për gati 2 vite dhe vetëm më pas do të hapeshin vendet e punës për persona nga jashtë”.
Ndërkaq, Ali Aziri i cili që 9 vjet punon si ndihmës tha se në vend të tij, në këtë pozitë është pranuar dikush tjetër.
Ali Aziri, ndihmës-mjek
“Nëntë vite jemi përballë me shumë sfida, pas nëntë viteve punë pa sigurim pensional, pa sigurim shëndetësor zëvendësohem me personel motra vetëm për ta zënë këtë vendin tim, kjo nuk është e drejtë”.
Ivona Nedellkovska theksoi se pavarësisht premtimeve nga zyrtarët, ata nuk arritën të marrin vendime. Ivona Nedellkovska
“Nuk do presim konkurs tjetër, mjaft kemi pritur, duhet personeli që u pranua nga jashtë të pres konkursin tjetër. Nuk është e drejtë t’i ndërpritni kontratat për qëllime politike siç keni bërë me disa nga kolegët tonë”.
Driton Mustafa theksoi se edhe pse ministri Aliu, drejtori Elezi, kryetari Kasami premtuan, prapë se prapë premtimin e tyre e rrëzuan poshtë anëtarët e tyre partiakë.
Driton Mustafa
“Ne qëndrojmë sot këtu për të kërkuar drejtësi për vendet tona të punës të cilat na u premtuan dhe janë shumë të merituara ku secili nga ne ka së paku 6-7-8-9 dikush 10 vite përvojë punë. Kësaj padrejtësie do t’i shkojmë deri në fund”.
Mediha Zilbehari theksoi se shtatë vite ka punuar në spital, sa me kontratë e sa në formë vullnetare, ndaj thotë se për këtë arsye të rinjtë ikin jashtë shteti.
Mediha Zilbehari
“Vetëm fjalë dhe premtime boshe. Sot pas gjithë kësaj kohe jemi jashtë. Nuk do të ikim se e duam perëndimin më shumë se vendin tonë, do të ikim sepse atje të paktën vlerësohet kontributi ynë, nuk ka mashtrime të njëpasnjëshme”.
Nga ana tjetër, drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi tha se mbi 80% e të punësuarve me kontratë në Spitalin e Tetovës janë të përfshirë në atë listën e pranimit.
Erzen Elezi, Drejtori i Spitalit të Tetovës
“Kam thënë para juve që gjithë nuk mund të përfshihen shkaku i profilit. Kemi rast në disa profile, duke filluar te profili për akusheri, numri që pranohet është vetëm 1 mirëpo konkurrentët janë 12, edhe ajo që është pranuar është 10 vite me kontratë. E kam të miratuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Zotrohem që me çdo kusht maksimumin do e bëj që ta realizoj edhe atë konkursin. E kam planin, gjithsej janë 133 për vitin 2026… Nëse arrijmë ta hapim edhe atë konkursin tjetër, unë ju garantoj se ju të cilët keni ngelur me kontratë do ju marr”.
Ky konkurs u zvarrit me muaj të tërë për shkak të zgjedhjeve lokale. Pas shumë zvarritjeve, protestave, polemikave dhe përplasjeve politike, Spitali i Tetovës më 24 korrik e hapi konkursin për pranimin e personelit mjekësor. Megjithatë konkursi u anulua disa javë më vonë në gusht për shkak të shpalljes së zgjedhjeve lokale. Kujtojmë se në muajin qershor punonjësit shëndetësorë në Spitalin e Tetovës me kontrata, të cilët janë rreth 140, protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune.
Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit. Po atë muaj ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës, por kjo nuk u bë brenda këtij afati.
Anida Murati /SHENJA/

