(VIDEO) Sela: Nuk i besoj veprimet politike të Taravarit

(VIDEO) Sela: Nuk i besoj veprimet politike të Taravarit

“Mjerë ai politikan që i beson Arben Taravarit dhe mjerë ai qytetar që i beson atij”, kështu ka deklaruar kryetari i ASH-së Ziadin Sela, i pyetur se cili do të jetë qëndrimi i ASH-së nëse Taravari do të përfshihej në Frontin Europian. Sela tha se nuk i beson veprimet politike të Taravarit pasi siç thotë ai bëhet fjalë për një person i cili e braktisi partinë me njoftim nga ana e një statusi në rrjetin social Facebook. Ai theksoi se qëndrimin e tyre konkret do ta bëjnë të ditur në rast se përfshirja e Taravarit në Frontin Evropian bëhet realitet.

ZIADIN SELA, KRYETAR I ASH-SË

 “Është hipotetike pyetja sepse unë nuk është që i besoj më veprimeve politike të një njeriu të tillë sepse kjo situatë ngjan shumë me taktizimet që i bënte para një viti dhe pastaj në moment të fundit shkruajti një status faceboku dhe iku, kështu që mjer ai politikan që vazhdon ti besojë akoma atij dhe mjerë ai qytetar që vazhdon ti besojë akoma atij, kur kështu e bëri me mua, kur kam pyetur veten gjatë kohë se çfarë ka ndodhur, çfarë i kam bërë këtij njeriu, e kam bërë kryetar komune 2 herë rradhazi, ministër, ka pas tjerë aktivistë akoma më punëtorë që kanë dhënë më tepër kontribut, po ne ja dhamë mundësinë, ministër, kryetar komune në fund edhe partinë dhe prandaj them mjerë ai që I beson”

I pyetur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare Sela tha se ASH e përkrah idenë që bashkë me zgjedhjet lokale të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

ZIADIN SELA, KRYETAR I ASH-SË

 “Unë mendoj si politikan, që bashkë me zgjedhjet lokale, do të kemi edhe zgjedhje parlamentare dhe ne jemi për variantin që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe sipas zhvillimeve që ndodhin, çdo hap politik që ndodh, i bën më të përafërta idenë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare bashkë me lokalet, dhe ne jemi për këtë opsion”.

I pyetur se a do të ketë takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, Sela tha se takim nuk ka të planifikuar por theksoi se nëse do të ketë takim do të flet për tema reale si ndryshimet kushtetuese dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Duke iu referuar bashkëpunimit me VLEN-in ai tha se nuk ka ndonjë bashkëpunim të tillë, por potencoi se është për bashkim të faktorit politik shqiptar, ku siç thotë ai për ti bërë të qarta gjërat që duhet t’i realizojnë dhe për t’i dhënë fund mësymjes që faktori politik maqedonas në Qeveri dhe jo vetëm iu bëjnë të drejtave të shqiptarëve në vend.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

MARKETING