(VIDEO) Rruga-Prizren-Tetovë: Kosova deri nesër pritet ta miratojë draft-marrëveshjen e dërguar nga Shkupi

(VIDEO) Rruga-Prizren-Tetovë: Kosova deri nesër pritet ta miratojë draft-marrëveshjen e dërguar nga Shkupi

Marrëveshja për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, do të nënshkruhet së shpejti. Kështu premtuan nga Qeveria e Kosovës. Në një deklaratë për TV Shenja, zëvendësministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Hysen Durmishi, tha se po presin të bëhet finalizimi i tekstit të draft marrëveshjes dhe e njejta më së voni nesër do të dorëzohet në RMV, pastaj shtoi se mbetet vetëm caktimi i datës së nënshkrimit të marrëveshjes nga të dyja vendet.

Tabel: Hysen Durmishi, zv/ministër i Infrastrukturës i RKS-së

“Drafti i Marrëveshjes është bërë. Po presim disa komente nga Ministria e Jashtme e Kosovës, të cilat nuk janë përmbajtësore, por teknike, në mënyrë që të finalizohet teksti. Sot ose më së voni nesër ajo do të dërgohet në Maqedoninë e Veriut dhe mbetet që shumë shpejtë të caktohet vetëm data e nënshkrimit të Marrëveshjes nga të dyja palët”.

Përfaqësuesit qeveritarë kanë folur për afatet se kur do të nënshkruhet e njëjta marrëveshje. Zëvendësministri i Transportit Bekim Rexhepi, në një deklaratë dje u shpreh se detajet janë të harmonizuara dhe në muajt në vazhdim ajo do të nënshkruhet.

Bekim Rexhepi, zv/ministër i Transportit                                                                

“Presim nga ato përgjgigje, besoj muajt në vazhdim do të kemi një kontratë të nënshkruar ndërmjet dy palëve, sepse bëhet fjalë për një kontratë e cila detajet veçmë i ka të harmonizuara dhe besoj së shpejti do të nënshkruhet”.

Kurse drejtori i Ndërmarrjes “Rrugët Shtetërore” Ejup Rrustemi poashtu dje tha se pret që marrëveshja që planifikon ndërtimin e tunelit të përbashkët me shtetin e  Kosovës, të nënshkruhet deri në fund të shtatorit.

Ejup Rrustemi, NP Rrugët shtetërore

 “Ne si NP ‘Rrugët shtetërore’ e kemi porositur dhe e kemi bërë studimin e fizibilitetit dhe në bazë të këtij studimi është zgjedhur edhe traseja që duhet të ndërtohet në mes Tetovës dhe Prizrenit. Gjithashtu, Ministria e Transportit është në komunikim permanent me Ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, veçmë verzionin e parë për marrëveshje është dorëzuar në RKS, presim vërejtjet nga ana e tyre, të shqyrtojmë edhe njëherë dhe besoj se nga fundi i shtatorit do të kemi edhe marrëveshjen”.

Ndërtimi i kësaj rruge, ka kohë që është premtuar. Kurse ndërtimin e këtij aksi, rruga Tetovë-Prizren, nga rreth 3 orë sa është aktualisht, do të mund të kalohet vetëm për 30 minuta.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

MARKETING