(VIDEO) Rritja e pagës minimale, LSDM dhe VMRO me akuza të ndërsjella
“Me sahatë 60,000 euro, me vlerë sa 150 paga minimale, Mickoski i bën punëtorët histerikë sepse kërkojnë një pagë prej 600 eurosh”. Kështu thonë nga partia opozitare LSDM, duke shtuar se është e turpshme dhe skandaloze deklarata e kryeministrit Hristian Mickoskit, i cili i quajti histerikë qytetarët dhe punëtorët që mezi ia dalin mbanë dhe nuk mund t’i ushqejnë familjet e tyre.
Nga LSDM thonë se nuk është histeri të kërkosh një pagë të mirë, por është luftë për një jetë dinjitoze, në mënyrë që qytetarët të sigurojnë një jetesë të mirë, bukë në tavolinë, ushqim në frigorifer, të jenë në gjendje të paguajnë faturat dhe të shkollojnë fëmijët e tyre.
LSDM
“Ai është arrogant ndaj punëtorëve dhe thotë se nesër do të kërkojnë 800 euro. Për shkak të rritjes së çmimeve, edhe ata do të jenë të pakët. Nuk është histeri të kërkosh 600 euro për rogë, është luftë për jetën. Një aeroplan me vlerë 100 milionë euro, një Mercedes me vlerë 650,000, syze dhe ora me vlerë mbi 60,000 euro – kjo është histeri zotëri Mickoski”.
Ndërkaq nga ana tjetër deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, thotë se Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) koordinohet dhe menaxhohet nga LSDM, dhe se sipas tij, e gjithë logjistika për të ashtuquajturat protesta të LSM-së sigurohet nga LSDM.
Brane Petrushevski, deputeti i VMRO-DPMNE-së
“Kemi marrë dokumente nga denoncuesit që tregojnë se kush janë njerëzit përgjegjës për organizimin e logjistikës për protestat. Ky është ai dokument. Personi përgjegjës për organizimin e njerëzve dhe transportin nga Strumica dhe rajoni i Strumicës është Branko Georgiev, ish funksionar në Strumicë gjatë epokës së LSDM-së”.
Ai thotë se e gjithë logjistika partiake e LSDM-së për Strumicën dhe rajonin e Strumicës – tani është LSM. Sipas Petrushevskit LSM nuk ekziston, është vetëm LSDM me bluza sindikale. “Në ditët në vijim do të vazhdojmë të njoftojmë të gjithë njerëzit nga LSDM që kanë marrë përsipër LSM-në”, – shtoi ai.
Anida Murati /SHENJA/

