(VIDEO) Rreth 14 mijë e 600 maturantë nisin maturën shtetërore sipas konceptit të ri
14.587 maturantë sot po japin provimin shtetëror të maturës për vitin shkollor 2025/2026. Ata sot po testohen në provimin e parë nga dy provimet eksternë – gjuhë e huaj, matematikë ose histori, varësisht nga lloji i maturës që kanë zgjedhur. Provimet po zhvillohen në shkollat ku janë siguruar të gjitha kushtet ligjore dhe organizative, ndërsa një pjesë e nxënësve, me kërkesë të shkollave, po i japin provimet në amfiteatrot e fakulteteve më të afërta. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniella Mihajllovska, vizituan Fakultetin Ekonomik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku po japin provimin nxënësit e shkollës “Vasil Antevski – Dren”.
Ministrja Janevska theksoi se këtë vit matura po realizohet sipas një koncepti të ri, i cili mundëson një qasje më të drejtë në vlerësimin e nxënësve.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT
“Për herë të parë, matura shtetërore po zhvillohet sipas konceptit të ri, i cili parashikon maturë shtetërore, profesionale dhe artistike. Në këtë mënyrë, nxënësit do të testohen sipas përmbajtjeve mësimore që realisht i kanë studiuar gjatë arsimit të mesëm, gjë që përbën më shumë drejtësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë maturantët”.
Ajo informoi se lloji i maturës mund të zgjidhet edhe në varësi të asaj nëse dhe ku maturanti dëshiron të vazhdojë arsimimin. Sipas saj, institucionet e arsimit të lartë që në fund të vitit të kaluar kanë njoftuar se me çfarë lloj mature një nxënës mund të regjistrohet në programet e tyre studimore.
Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Mihajllovska, informoi se nga numri i përgjithshëm i maturantëve të regjistruar, 12.184 janë paraqitur për maturën shtetërore, 2.276 nxënës për maturën profesionale shtetërore dhe 127 për maturën artistike shtetërore.
DANIELLA MIHAJLLOVSKA, DREJTORESHË E QENDRËS SHTETËRORE TË PROVIMEVE
“Organizimi i maturës shtetërore sipas konceptit të ri kërkon angazhim më të madh, por Qendra Shtetërore e Provimeve, në koordinim me ministrinë dhe shkollat, do t’i përgjigjet me sukses kësaj sfide, duke pasur në fokus interesat e nxënësve”.
Për zhvillimin e pandërprerë dhe të rregullt të maturës janë angazhuar rreth 2.500 testues dhe 200 vëzhgues. Rezultatet do të publikohen jo më vonë se një muaj pas zhvillimit të provimit të dytë ekstern. Provimi i dytë ekstern, nga gjuha amtare, do të zhvillohet më 11 dhe 12 qershor. /SHENJA/

