(VIDEO) Rokas shpreson për hap vendimtar në negociata
Ambasadori evropian Mihalis Rokaska bërë të ditur se brenda dy- tre javësh pritet vizita e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në rajon. Sipas tij, vizita e saj mund të jetë një hap vendimtar për avancimin e procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Rokas i pyetur lidhur me vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE tha se muajve të fundit është punuar shumë në këtë askept.
MIHALIS ROKAS AMBASADOR EVROPIAN
“Muajt e kaluar të gjithë kemi punuar me mund me qëllim që kjo të ndodh, Së shpejti shpresoj që do të vijë për vizitë rajonale kryetarja e komisionit evropian Ursula Von Der Leyen. Pas 2-3 javëve do të ndodh kjo vizitë , kështu që shpresoj që vizita e saj të jetë një hap vendimtar në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Rokas nuk zbuloi konkretisht nëse po diskutohen ndryshimet kushtetuese me zbatim të prolonguar si një zgjidhje e mundshme për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian të RMV-së, por tha se po bëhet punë e madhe për të arritur përparim. I pyetur konkretisht për këtë ai tha se nuk mund të ndante informacione.
MIHALIS ROKAS, AMBASADOR EVROPIAN
“Nuk mund të ndaj asnjë informacion lidhur me këtë. Po punojmë intensivisht për ta arritur këtë. Për këtë po punohet që nga ardhja ime”.
Euroambasadori u pyet edhe për deklaratën e fundit të deputetit bullgar Kostadin Kostadinov, i cili ka paraqitur një nismë në Kuvendin e Bullgarisë, përmes së cilës kërkon që gjuha maqedonase të trajtohet si dialekt bullgar. Përgjigja e tij ishte e prerë se nuk ka koment për asnjë politikan apo deputet nga cilido shtet anëtar.
Këto deklarata vijnë në një periudhë kur sërish në fokus është çështja se si të zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, ndërsa ndryshimet kushtetuese mbeten çështja kryesore politike në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

