(VIDEO) RMV mbetet peng i mungesës së ndryshimeve kushtetuese, ndahet nga Shqipëria në procesin integrues
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të vendeve anëtare në Bashkimin Evropian (Coreper) ka vendosur që Shqipëria të nisë negociatat për anëtarësim në BE me kapituj, me çka do ta ndajnë atë nga Maqedonia e Veriut në rrugën evropiane, shkruan portali i Brukselit “Euraktiv”, duke iu referuar burimeve në Këshillin e BE-së. Të pyetur nga TV Shenja, nga Komisioni Evropian as nuk e kanë mohuar dhe as nuk e kanë pohuar një gjë të tillë.
Ana Pisonero, zëdhënëse e KE-së
“Komisioni pret me padurim fillimin e negociatave për klasterin e vlerave themelore sa më shpejt të jetë e mundur me Shqipërinë, dhe me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që të jetë e mundur, sapo Maqedonia e Veriut të ketë përmbushur kriteret përkatëse të dakorduara nga Këshilli”.
Ndërkaq, sipas Euractiv, rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të shkëputet nga ajo e Maqedonisë së Veriut, me klasterët e para të negociatave që do të hapen zyrtarisht më 15 tetor. Bashkimi Evropian solli vendim për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në pako në korri të vitit 2022, megjithatë, për shkak të kontestit midis Shkupit dhe Bullgarisë, hapja aktuale e kapitujve u pezullua, duke ndikuar drejtpërdrejt në përparimin e Tiranës.
Euractiv
“Por tani, hapi i radhës pritet të bëhet nga Shqipëria në mes të tetorit në kuadër të konferencës ndërqeveritare dhe hapjes së Klasterit – “Vlerat themelore”. Ky klaster përfshin disa kapituj – Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria dhe kontrolli financiar. Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur kërkesat për të avancuar në rrugën e saj në BE, por është një pengesë për Maqedoninë e Veriut, e cila edhe një herë dështon të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE”.
Rruga eruointegruese e vendit përballet me pengesa mbi 20 vite. Fillimisht proceset euroatlantike të vendit u bllokuan për 17 vite me veto nga ana e Greqisë, për shkak të kontestit me emrin. Pas zgjidhjes së këtij kontesti, vendi u anëtarësua në NATO, por procesi i anëtërsimit në BE u blokua me veto këtë herë nga Bullgaria, e cila kërkon që të zgjidhet kontestet mes dy popujve që lidhen me historinë dhe identitetin. Në kuadër të marrëveshjes të kornizës negociuese që u arrit mes dy vendeve përmes propozimit francez, Bullgaria vendosi kusht që vendi të fut në kushtetutë komunitetin bullgar. Qeveria e kaluar kishte nisur këtë procedurë, por nuk kishte votat e nevojshme për ta realizuar. Ndërkaq, qeveria aktuale e udhëhequr nga VMRO – DPMNE, nuk shpreh vullnet për ta përmbushur këtë marrëveshje.
Përndryshe, rreth 100.000 qytetarë maqedonas kanë marrë nënshtetësinë bullgare, që do të thotë se kanë vërtetuar rrënjët e tyre bullgare.
Teuta Buçi /SHENJA/