(VIDEO) Rikthehen dhomat e gazit për shqiptarët, kryeministri dhe ministri brendshëm “shijojnë” “vdekjen e shqiptarëve”

Në sallën e rinovuar sportive të Kumanovës, nën dritën e një fillimi të ri, Maqedonia u prezantua me gjithë “zemrën dhe shpirtin” në një ndeshje basketbolli, e cila riktheu nostalgjinë për urrejtjen e vjetër. Kryeministri Hristijan Mickoski, i emocionuar deri në frymën e fundit të ndeshjes parakualifikuese ndaj Rumanisë, e përshkroi ndeshjen me fjalë të ngrohta, frymëzuese, të mbushura me emocione dhe lavdërime për përfaqësuesen e basketbollit që, sipas tij, “edhe pse nuk fitoi në rezultat, fitoi në shpirt”. Edhe nga fotografitë që ka shpërndarë në proflilin e tij në Facebook duket një lojë normale e përfaqësueses së Maqedonisë, me sallë të mbushur, në një ditë të shtunë, për më tepër në një ditë feste shtetërore, ku publiku e tifozët kishin shkuar të argëtoheshin. Dhe për një moment, gati-gati na bindi se ky shpirt sportiv i kishte përqafuar të gjithë – pa dallim etnie, gjuhe apo kombësie.
Por mangësia e fotografive është se, nuk i përçojnë gjtiha dimenzionet e atmosferës. Ajo që nuk ndodhet në këto imazhe – për arsye që sigurisht nuk kanë të bëjnë me mungesë të aparatit – është realiteti i mikrofonëve të fiksuar mbi thirrjet nga tifozeria:
Ky është momenti kur kupton se ndeshja ka qenë vërtetë “ndeshje tipike maqedonase”, pasi si mund të jetë një lojë me tifozë maqedonas normale pa fyerje ndaj shqiptarëve.
“Kjo ndeshje ishte më shumë sesa një rezultat, ishte një luftë për ngjyrat që vishni, për emrin që mbroni dhe për popullin që të mbështet me dashuri dhe respekt, thuhet mes tjerash në elozhet që kryeministrit ka thurr për lojtarët, pas të cilave ti pret të lexosh një “por”, që vijon me një refuzim të qartë të gjuhës së urrejtjes. Por kjo nuk ndodhi. Prandaj këtu lindin disa dilema: kryeministri e shijoi dhe u fascionua aq shumë nga ndeshja sa që injoroi këtë pjesë. Injoroi dënimin e thirrjeve raciste, për shkak se kjo nuk përshtatej me rimën e elozheve? Apo ndoshta thjesht nuk i ka dëgjuar. Ose, ndoshta, kjo është një nga ato “ngacmime folklorike” që në Maqedoninë moderne klasifikohen si shprehje spontane të dashurisë… të shtrembëruar.
Në mënyrë misterioze, por të përsëritur – nuk dëgjuan asgjë as kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministri i Brendshëm Panço Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror, të cilët injoruan thirrjet që ftojnë për “dhoma gazi për shqiptarët” që mund të përkthehen si thirrje për pastrim etnik. Shurdhëri selektive apo dëgjim i kushtëzuar politikisht? Duket se preferuan të dëgjojnë vetëm topin që godet parketin, jo urrejtjen që përplaset në ndërgjegjen qytetare.
Ironia e fatit është se gjithçka ndodhi në një ditë feste shtetërore – një ditë që supozohet të nderojë unitetin dhe bashkëjetesën. Por si çdo dramë e mirëballancuar ballkanike, edhe kjo festë pati protagonistët, duartrokitjet dhe, sigurisht, armiqtë e zakonshëm të skenarit: shqiptarët, të cilët edhe kur nuk janë në parket, janë gjithsesi në mendjen e publikut. Ndoshta, në vend të një salla të rinovuar, të fillojmë me rinovimin e vetëdijes. Sepse për sa kohë që thirrjet e urrejtjes shiten si zhurmë sportive dhe udhëheqësit shohin përtej realitetit – shpirtit të një kombi nuk i bën dritë asnjë projektor.
Teuta Buçi /SHENJA/