(VIDEO) Reshjet e borës nxisin përplasje verbale ndërmjet partive shqiptare
Reshjet e borës duket se i kanë zënë të papërgatitur ndërmarrjet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve. Qytetarët që kanë lëvizur në orët e mbrëmjes në segmentin e autostradës së prej Shkupit për në Tetovë dhe prej Tetovës për në Gostivar janë përballur me rrugë të mbushur me borë, që e ka bërë lëvizjen e veturave shumë të rrezikshme….
Qytetarët që thonë se në orët e mbrëmjes, nuk është vërejtur ndonjë automjet për heqjen e borës ose për hedhjen e kripës….
Ndërkohë, gjendja më e rënduar nga reshjet e borës është në rajonin e Tetovës, sidomos në fshatrat e malësisë. Komuna e Tetovës ka njoftuar se është hedhur kripë në rrugë, por janë ankuar se kanë pasur vështirësi për shkak se gjatë pastrimit kanë hasur në probleme, pasi shumë nga banorët kanë parkuar veturat e tyre në rrugë, duke ua vështirësuar autoriteteve intervenimin.
Ndërkohë, partitë opozitare po e kritikojnë autoritetet e Komunës për gjendjen e krijuar. Me këtë video kanë ironizuar nga Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadin Sela.
Për këtë video ka reaguar kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami i cili thekson se videoja ku shihet hedhja e kripës dhe rërës me lopatë nuk është në komunën e Tetovës.
“Personat që kanë publikuar këtë shpifje duhet të kërkojnë falje publike sepse në të kundertën do të paditen!”, ka shkruar Kasami.
Ndërkohë, Lidhja Auto-moto e Maqedonisë informoi se nga ora 11:55 është vendosur ndalim i qarkullimit të mjeteve motorike mallrash në rrugën Dibër – Mavrovë. Nga ora 12:15 për shkak të reshjeve të borës në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit, është ndaluar qarkullimi për automjetet e rënda, ndërsa për automjetet e tjera është i detyrueshëm përdorimi i pajisjeve dimërore. Lidhja Auto-moto e Maqedonisë njoftoi se komunikacioni në rrugët tjera zhvillohet pa ndërprerë, në disa vende në kushte dimërore. /SHENJA/