(VIDEO) Rasti Koçani, policia fton në bisedë informative ish-ministrat e ekonomisë

Ministria e Punëve të Brendshme ka zgjeruar hetimin pas tragjedisë së ndodhur në Koçan, që lidhet me diskotekën “Puls”. Në kuadër të hetimeve, mëngjesin e sotëm janë thirrur në bisedë informative disa nga ish-ministrat e Ekonomisë që kanë ushtruar funksionin që nga viti 2012. Hetimet janë fokusuar në mënyrën e funksionimit dhe licencimit të diskotekës, ndërsa autoritetet janë duke shqyrtuar përgjegjësitë institucionale për ngjarjen tragjike.
Konkretisht, policia ka ndaluar ish-ministrat e Ekonomisë, Valon Saraçini dhe Bekim Neziri, kuadro të BDI-së, si dhe ministrin aktual pa portofol dhe ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu. Mes të arrestuarve është edhe drejtori aktual i Sigurimit të Shtetit, Xhevat Selami.
Theksohet se hetimi po zgjerohet, ku përfshihen 23 të dyshuar. Nëntëmbëdhjetë prej tyre janë ndaluar ose janë në paraburgim.
Ministri aktual i Ekonomisë Besar Durmishi nuk është i dyshuar. Në Prokurorinë Publike të Koçanit është duke u hetuar lidhur me zjarrin në të ashtuquajturën Kabareja “Pulse” në Koçan që ndodhi më 16 mars.
Aktualisht, me masë paraburgimi prej 30 ditësh ndodhen ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish-sekretarja shtetërore në këtë dikaster, si dhe tre zyrtarë të tjerë të Sektorit të Turizmit pranë Ministrisë së Ekonomisë.
Anida Murati /SHENJA/