(VIDEO) Raporti i “Reporterëve pa Kufij”, SHGM kërkon vendosjen e standardeve evropiane

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë së Veriut rënien e vendit në “Indeksin e lirisë së mediave” e konsideron si një tregues real të situatës për të cilin thonë se tregon qartë sfidat ekzistuese dhe nevojën për reforma thelbësore. Nga atje thonë se raporti thekson tendencën e funksionerëve për të pasur qëndrime negative dhe poshtëruese ndaj gazetarëve dhe theksojnë se qëndrime të tilla krijojnë një atmosferë mosbesimi dhe poshtërimi, e cila përhapet lehtësisht në diskursin publik.
SHOQATA E GAZETARËVE TË RMV-SË
“Në pjesën ligjore, raporti vëren se legjislacioni kombëtar ende nuk është në përputhje me standardet europiane dhe abuzimi me të ashtuquajturat padi (padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike) mbetet një mekanizëm për të ushtruar presion mbi mediat kritike dhe gazetarët ”.
Rënien e vendit për 6 pozita për sa i përket lirisë së mediave e kanë komentuar edhe partitë politike të vendit, gjë që nxiti edhe akuza në mes pushtetit dhe opozitës. Nga BDI thonë se rënia e vendit përbën një tregues serioz për prirjet negative në qeverisjen demokratike dhe raportin me mendimin kritik në vend.
BDI
“Analiza e detajuar nxjerr në pah dobësi të mëdha nga konteksti politik dhe korniza ligjore, deri te presionet ekonomike dhe siguria e gazetarëve. Në vend që të garantojë pavarësinë institucionale, Qeveria ka zgjedhur ta thellojë klientelizmin përmes mekanizmave të rinj ndikimi, përfshirë edhe reklamimin e institucioneve publike në media private”.
Nga LSDM thonë se kjo është një tjetër tregues alarmues i drejtimit të gabuar në të cilin po shkon vendi nën qeverisjen e VMRO-DPMNE-së.
LSDM
“Në vend që të punojë për të çuar përpara standardet demokratike, qeveria e udhëhequr nga DPMNE po kthehet te metodat e vjetra të kontrollit, presionit dhe frikës. Sa herë që VMRO-DPMNE është në pushtet, liria e medias shtypet, gazetarët vihen nën presion dhe hapësira mediatike mbyllet”.
Ndërkaq nga partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE thonë se rënia është kryesisht për shkak të përhapjes së lajmeve të rreme dhe dezinformimit dhe akuzojnë se fabrika kryesore për lajme të rreme dhe dezinformata, në mungesë të politikave konstruktive është LSDM dhe Venko Filipçe”.
VMRO DPMNE
“Një shembull i lajmeve të rreme është njoftimi për shtyp dhe konferenca e fundit për shtyp. Ata pretendojnë se ministrat kanë shpenzuar disa mijëra euro për dreka, ndërsa në thelb institucionet e demantuan këtë, duke thënë se këto ishin pagesa për një operator restoranti për shërbimet ushqimore të shfrytëzuara dhe të paguara nga punonjësit e ministrisë”.
Nga SHGM kërkojnë harmonizimin e legjislacionit kombëtar për mediat me Aktin Europian për Lirinë e Mediave, për të siguruar një kuadër ligjor më koherent dhe transparent, krijimin e një fondi për të mbështetur pluralizmin mediatik, me qëllim forcimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë së gazetarisë profesionale dhe zgjidhje efikase për të gjitha rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/