Ministri i Jashtëm turk: Aleanca e Mekës do të jetë platformë që do të sjellë ndyrshime rrënjësore

Ministri i Jashtëm turk: Aleanca e Mekës do të jetë platformë që do të sjellë ndyrshime rrënjësore

Aleanca e Mekës mes tri vendeve do të jetë platformë që do të sjellë ndryshime rrënjësore, tha të shtunën ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, duke shtuar se nisma ka arritur në një fazë të avancuar dhe se po punohet për krijimin e shtabit të saj dhe caktimin e personelit, transmeton Anadolu.

Duke folur për transmetuesin turk NTV mbi çështjet e politikës së jashtme, Fidan tha se pas aleancës – e formuar muajin e kaluar mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit – qëndron “një vullnet shumë i fortë” dhe se Ankaraja po punon për ta kthyer këtë vullnet politik në veprim.

“Aleanca e Mekës është vërtet në një fazë të mirë. Ekziston një vullnet shumë i fortë i shprehur. Po punojmë me të gjitha forcat tona për ta vënë këtë vullnet në veprim”, tha Fidan.

“Aleanca e Mekës do të jetë një platformë që do të sjellë ndyrshime rrënjësore”, shtoi ai.

Fidan tha se janë duke u ndërmarrë hapa drejt institucionalizimit të aleancës, veçanërisht puna për krijimin e një sekretariati të parashikuar në marrëveshje dhe të një shtabi ushtarak në kuadër të saj.

Ai tha se përgatitjet e detajuara për të dyja strukturat “pothuajse kanë përfunduar” dhe se tri vendet kanë arritur një mirëkuptim të përbashkët mbi mënyrën se si do të funksionojnë ato.

Sipas Fidanit, faza e ardhshme do të jetë dërgimi i personelit dhe vënia në funksion e shtabit.

Ai tha se, pasi të përfundojnë hapat e institucionalizimit, mund të zhvillohen bisedime me dy vendet e tjera themeluese për pranimin e anëtarëve të rinj.

“Është një aleancë e hapur për vendet e rajonit”, tha ai.

Fidan tha se nisma nuk synon të krijojë një bllok të ri rajonal kundër vendeve të tjera, por të vendosë një kuadër të përbashkët të mbrojtjes, të bazuar në mbështetjen rajonale.

Sipas tij, vizioni i Turqisë për rajonin është të bashkojë sa më shumë vende të jetë e mundur për të krijuar një mjedis besimi, për t’i trajtuar më me efektivitet problemet rajonale dhe për të parandaluar shfaqjen e krizave të reja.

“Pika bazë e nisjes për të gjitha këto është kërkimi i zgjidhjeve rajonale për problemet rajonale”, tha ai.

– Anëtarët e aleancës kanë përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit
Duke iu referuar sulmeve të fundit të Huthive të Jemenit ndaj Arabisë Saudite, Fidan tha se kjo çështje ekziston prej rreth një dekade, duke shtuar se në vitin 2022 u arrit një armëpushim, përpara se tensionet të riktheheshin pas fillimit të konfliktit në Gaza.

Ai tha se integriteti territorial, sovraniteti dhe infrastruktura e Arabisë Saudite janë përballur me sulme serioze.

Sipas marrëveshjes së aleancës, tha Fidan, vendet anëtare kanë përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit si aleatë.

“Ne jemi në solidaritet për këtë çështje”, tha ai, duke shtuar se vendet anëtare po e vlerësojnë situatën së bashku.

Fidan tha se Turqia ka dënuar sulmet që synojnë Arabinë Saudite, veçanërisht ato ndaj Mekës dhe infrastrukturës së naftës të vendit.

Ai theksoi gjithashtu se Arabia Saudite duhet të qëndrojë jashtë mosmarrëveshjes në vazhdim mes Iranit dhe SHBA-së, duke thënë se ajo nuk po kërkon përfshirje në atë përballje.

“Si anëtarë të Aleancës së Mekës, ne po e monitorojmë nga afër situatën”, tha ai.

Fidan shtoi se konsultimet po zhvillohen larg syrit të publikut dhe tha se Turqia nuk do të kishte vështirësi të përgjigjej nëse Arabia Saudite do të kishte nevoja ushtarake në fusha të caktuara teknike.

I pyetur për kritikat nga Izraeli, Irani, India dhe Greqia se aleanca ka mbetur vetëm “në letër”, Fidan i hodhi poshtë këto pretendime.

Ai argumentoi se vetë kritikat nga këto vende pasqyrojnë rëndësinë që ato i kushtojnë nismës, duke i cilësuar disa prej komenteve si përpjekje dezinformimi që synojnë ta diskreditojnë aleancën.

Fidan përmendi gjithashtu përvojën disa dekadashe të Turqisë në NATO, duke thënë se një aleancë nuk duhet të gjykohet thjesht nga shpeshtësia me të cilën aktivizohen mekanizmat e saj të mbrojtjes kolektive.

Ai tha se është e parakohshme të përshkruhet Aleanca e Mekës si joefektive, kur marrëveshja është nënshkruar vetëm muajin e kaluar dhe hapat institucionalë tashmë janë duke u ndërmarrë.

– Sulmet e Netanyahut ndaj Turqisë synojnë të forcojnë pozicionin e tij politik në vend
Fidan foli gjithashtu për deklaratat e fundit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që synojnë Turqinë, duke thënë se ai po përpiqet të forcojë pozitat e tij politike brenda vendit dhe ta paraqesë veten si të pazëvendësueshëm.

“Armiqësia ndaj Turqisë është gjithashtu një produkt i kësaj. Ne nuk e nënvlerësojmë atë”, tha Fidan.

Në Izrael zgjedhjet parlamentare do të mbahen vetëm disa javë më vonë, më 27 tetor, ndërsa sondazhet tregojnë një garë shumë të ngushtë.

Ai tha se Ankaraja po i monitoron nga afër deklaratat e Netanyahut, politikat e Izraelit dhe bashkëpunimin e tij ushtarak me vendet e rajonit.

Fidan tha se Turqia shpreson që Izraeli të përqafojë një politikë të jashtme të bazuar në paqe, respekt dhe bashkëpunim, e cila do t’i shërbente si Izraelit, ashtu edhe rajonit më të gjerë.

“Në të kundërt, ai jo vetëm që do të izolohet gjithnjë e më shumë, por do ta paguajë vetë çmimin e kësaj së bashku me rajonin”, tha ai.

Fidan akuzoi gjithashtu Netanyahun se po përpiqet të krijojë zona të zgjatura jostabiliteti në Siri, pas Libanit dhe Palestinës, në mënyrë që të forcojë pozicionin e tij politik brenda vendit dhe ta paraqesë veten si të pazëvendësueshëm.

Megjithatë, Fidan theksoi se Turqia do të veprojë me maturi dhe nuk do të tërhiqet në atë që e përshkroi si provokime.

Sipas tij, Turqia nuk vepron e vetme në rajon dhe mban partneritete me vendet e rajonit.

“Izraeli është kërcënim jo vetëm për rajonin, por edhe për botën”, shtoi Fidan, duke iu referuar veçanërisht politikave të ndjekura nga qeveria e Netanyahut.

Ai tha se shqetësimi ndërkombëtar lidhur me këto politika po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, përfshirë edhe në vendet që tradicionalisht konsiderohen të afërta me Izraelin.

Fidan shtoi se Turqia shpreson që zhvillimet aktuale rajonale, në planin afatgjatë, përfundimisht të jenë në favor të palestinezëve.

– Procesi i integrimit të Sirisë
Lidhur me Sirinë, Fidan tha se që nga dhjetori i vitit 2024, kur ra regjimi i Asadit, ka pasur çështje të shumta që kërkojnë koordinim të ngushtë mes Ankarasë dhe Damaskut, përfshirë rindërtimin e Sirisë, unitetin, integritetin territorial dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit.

Ai tha se presidenti i Turqisë dhe ai Sirisë u kishin ngarkuar palëve detyrën për të krijuar një grup të përbashkët planifikimi për të monitoruar nga afër projektet dypalëshe dhe fusha të tjera bashkëpunimi.

“Çfarëdo që të ndodhë në Siri dhe Irak ndikon drejtpërdrejt në Turqi”, tha Fidan, duke shtuar se për këtë arsye, stabiliteti, paqja dhe zhvillimi në të dyja vendet janë të rëndësishme për Ankaranë.

Ai tha se së fundmi i shqyrtoi këto çështje me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa gjatë një vizite në Siri dhe i përcolli atij mesazhe nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Fidan tha gjithashtu se Erdogan dhe al-Sharaa u takuan në kuadër të samitit të NATO-s në Ankara në muajin korrik dhe diskutuan stabilitetin rajonal, rreziqet e mundshme, procesin e integrimit të Sirisë dhe përpjekjet kundër terrorizmit.

Lidhur me procesin e shpërbërjes dhe integrimit të Forcave Demokratike Siriane (SDF) në shtetin dhe ushtrinë siriane, Fidan tha se te palët ekziston dëshira për ta çuar procesin përpara në mënyrë të kontrolluar.

Ai i përshkroi deklaratat dhe qëndrimet që po mbahen aktualisht nga palët si pozitive, por tha se ato duhet të pasohen nga hapa konkretë.

Fidan shtoi se Turqia po e monitoron nga afër procesin përmes kontakteve me institucionet siriane të sigurisë dhe inteligjencës, përfshirë rreziqet e mundshme dhe mënyrën se si po menaxhohen ato.

– Ngërçi në bisedimet Iran-SHBA
Duke iu referuar tensioneve rajonale të lidhura me Jemenin dhe Ngushticën e Bab el-Mandebit, Fidan tha se janë duke u zhvilluar shumë iniciativa diplomatike, por se këto përpjekje duhet të prodhojnë rezultate të pranueshme për palët përkatëse.

Ai tha se gjatë muajve të fundit ka pasur një ngërç në negociatat mes Iranit dhe SHBA-së.

Sipas Fidanit, një nga pasojat e këtij ngërçi ka qenë zgjerimi i tensioneve përtej përplasjeve të drejtpërdrejta mes dy palëve, duke përfshirë zhvillimet që lidhen me Jemenin dhe Ngushticën e Bab el-Mandebit.

Ai tha se përballja po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar dhe rrezikon të përhapet më tej drejt Arabisë Saudite.

Fidan tha se Turqia po i kushton rëndësi të veçantë përpjekjeve për t’i çuar në përfundim negociatat mes SHBA-së dhe Iranit, por vuri në dukje se ekziston “mosbesim i madh” mes dy palëve.

Ai tha se Irani dhe SHBA-ja arritën një mirëkuptim të përbashkët në Pakistan në qershor të këtij viti, por më pas dolën vështirësi gjatë zbatimit të marrëveshjes së tyre kuadër.

Të dyja palët, shtoi ai, nisën më pas ta interpretonin procesin në mënyra të ndryshme, në përputhje me interesat e tyre përkatëse.

Fidan tha se palëve u janë paraqitur propozime të reja dhe shprehu shpresën se ato do të pranohen.

Ai paralajmëroi gjithashtu se pasojat ekonomike të krizës rajonale në vazhdim po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar nga disa vende.

Sipas tij, ekziston një pengesë serioze që prek rrugët e energjisë, duke shtuar se vende si Turqia, industritë dhe ekonomitë e të cilave varen shumë nga energjia e importuar, po përballen me sfida ekonomike gjithnjë e më të mëdha.

MARKETING