(VIDEO) Raporti i Agjencisë së Fluturimeve Civile: 11 masa të detyrueshme për M-NAV
Agjencia e Fluturimeve Civile ka përgatitur raportin paraprak të inspektimit të jashtëzakonshëm pas incidentit në operatorin kombëtar të navigacionit ajror në pjesën e sigurisë. Është hartuar procesverbali përfundimtar, në bazë të të cilit nga 14 gjetjet e konstatuara është nxjerrë vendim me urdhër për ndërmarrjen e 11 masave dhe aktiviteteve të detyrueshme me afate të ndryshme për zbatim, të cilat do të përcaktohen në një plan korrigjues që do të përpilohet së bashku nga inspektorët e autorizuar në AFC me përgjegjësit në M-NAV, njoftoi për MIA-n drejtori i AFC-së Tomisllav Tuntev. Ai thotë se ka edhe urdhërpagesa për kundërvajtje sepse, siç thotë ai, kanë vendosur sanksione ndaj kompanive dhe individëve në bazë të përgjegjësisë specifike.
TOMISLLAV TUNTEV, DREJTOR I AGJENCISË SË FLUTURIMEVE CIVILE
“Nga inspektimi i jashtëzakonshëm rezultoi gjithashtu se M-NAV ka përgatitur dhe ka në funksion të gjitha dokumentet e nevojshme, por në këtë rast bëhet fjalë për shkelje të procedurave të përcaktuara. Dikush e mori përsipër vullnetarisht të mos respektonte procedurat, por të punonte sipas bindjes së tij. Kjo ka sjellë hyrjen e paautorizuar ose të paligjshme të personave në ambientet zyrtare, por jo në sallën operative ku bëhet komunikimi mes avionëve dhe kontrollorëve”.
Tuntev tha se mangësitë e konstatuara nga inspektorët e autorizuar në fushën e sigurimit janë rezultat i mosrespektimit të vazhdueshëm të procedurave të përcaktuara të sigurisë.
TOMISLLAV TUNTEV, DREJTOR I AGJENCISË SË FLUTURIMEVE CIVILE
“Plani korrigjues përgatitet në bashkëpunim me M-NAV sepse ata duhet të deklarojnë lidhur me 11 masat e detyrueshme kur dhe në çfarë mënyre mund të zbatohen. Disa prej tyre janë me afat të menjëhershëm, disa me 15 ditë, disa me 90 ditë, disa sipas një afati që do të përcaktohet më tej në një komunikim të përbashkët. Përveç masave të detyrueshme , do të jenë tre rekomandime që ne insistojmë t’i përmbahemi”.
Qëllimi i këtyre masave, thekson ai, është parandalim i përsëritjes së një ngjarjeje të tillë. Një nga opsionet, siç thotë ai, është që të sigurohet në kohën e duhur dera e detektorit metalik dhe një aparat fotografik për të kontrolluar të gjithë ata që hyjnë. Synimi është që të ngrihet niveli i sigurisë për hyrjen në objektin M-NAV, thekson ai.
Incidenti në M-NAV ndodhi më 4 janar ku disa persona u futën brenda objektit të M-NAV dhe sulmuan fizikisht disa punëtorë, gjë që çoi në ndryshime në stafin udhëheqës. Në vend të drejtorëve të mëparshëm Fahrudin Hamidi dhe Ljube Stamenkovski u emëruan Hekuran Asani dhe Milan Koraç si drejtorë në kompani.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/