(VIDEO) Raportet RMV – Bullgari, Mucunski paralajmëron takim të nivelit të lartë në Sofje
Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski paralajmëroi mundësinë për mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë në Sofje. Mucunski pret që një takim i tillë në kuadër të një ngjarjeje rajonale që do të mbahet javën e ardhshme në Bullgari, e ku ministri do të marrë pjesë së bashku me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.
Mucunski tha se për momentin një takim i tillë nuk është dakorduar, por shtoi se nuk do të befasohej nëse do të mbahej një takim i nivelit të lartë.
Duke folur për marrëdhëniet me Sofje, ministri theksoi se dialogu dhe takimet në nivelin më të lartë janë të domosdoshme.
Sinkron: Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm i RMV-së
“Pa dyshim që duhet të zhvillojmë dialog me Bullgarinë. Por ky nuk është problemi. Problemi është se, ndër të tjera, Bullgaria po e shkel Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë. Ta lëmë mënjanë çështjen nëse marrëveshja është e mirë apo e keqe. Bullgaria në atë marrëveshje është zotuar se do ta inkurajojë dhe mbështesë rrugën tonë drejt integrimit evropian, por nuk po e bën këtë. Megjithatë, nëse më pyesni nëse duhet të kemi më shumë takime në nivel të lartë, përgjigjja është po”.
Lidhur me deklaratat e presidentit të Këshilli Evropian, António Costa, se të vetmet përfundime që mund të nxirren si garanci për vendin janë se Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë atë që është dakorduar, Timço Mucunski tha se nuk ka dëgjuar një deklaratë të tillë të drejtpërdrejtë prej tij.
Sinkron: Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm i RMV-së
“Ajo që mund të them është se ne mbetemi të përkushtuar ndaj reformave evropiane, mbetemi me një orientim të qartë strategjik në politikën e jashtme, por gjithashtu qëndrojmë fuqishëm në qëndrimin se, në këtë moment, nuk ekzistojnë kushtet për ndryshime kushtetuese”.
Kujtojmë se, Costa dy ditë më parë vizitoi Shkupin prej ku porositi se, ndryshimet kushtetuese të dakorduara janë kushti kryesor për hapjen formale të negociatave të anëtarësimit. Sipas tij, ky është hapi i nevojshëm për të zhbllokuar përfitimet e plota që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian./SHENJA/

