(VIDEO) Qyteti i Shkupit: Qeveria e Mickoskit ka mentalitet sektar, Saraji: Ministria e Ambientit pengoi projektet tona
Vendimi i qeverisë për mbështetje të 274 projekteve që kushtojnë 65 milionë euro për komuna, ka ngjallur shumë reagime në opinion, pasi qyteti i Shkupit, komuna e Sarajit, ajo e Strumicës dhe komuna e Tearcës, janë përjashtuar nga mjetet e ndara për financim të projekteve komunale.
Nga qyteteti i Shkupit kanë reagur ashpër, duke theksuar se ky vendim është një vërtetim i “gjendjes së mentaliteti sektar të Qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski”. “Ata që nuk mendojnë njëjtë, segregohen dhe përndiqen politikisht, duke dëshmuar se nuk ka kapacitet demokratik dhe lidership”, thuhet në reagimin e qytetit.
Më tej nga Qyteti i Shkupit, kanë treguar edhe projektet për të cilat kanë aplikuar dhe nuk janë përkrahur nga Qeveria.
QYTETI I SHKUPIT
“Mbi 20 projektet të gjitha me fokus në përmirësimin e transportit publik, zhvillimit të infrastrukturës rrugore të qytetit, mbrojtjes kundër zjarrit, higjienës publike, informacioneve teknologjike dhe digjitalizimit, si dhe fusha e kulturës”.
Kanë reagur edhe nga Komuna e Sarajit. Ata thonë se kanë paraqitur projektin për rikonstruimi e rrugëve në vendbanimin Llaskarcë dhe Sfillare dhe si rrjedhojë sipas tyre, komuna i ka ndjekur të gjitha hapat e paraparë deri tek kompletimi i dokumentacionit teknik.
KOMUNA E SARAJIT
“Për të njetjën çështje, Komuna dorëzoi dy urgjenca deri tek Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapsinor, e para me datë 16.08.2024 dhe urgjenca e dytë u dorëzua me datë 08.10.2024, si dhe njoftim deri tek Ministria e Pushtetit Lokal se realizimin e këtij projekti e pengon Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor”.
Në rrjetin social Facebook, ka reagur edhe kryetari i Strumicës, Kostadin Kostadinov.
KOSTADIN KOSTADINOV,KRYETAR I STRUMICËS
“Mjetet që na janë shkurtuar neve si banorë të Strumicës janë rreth 140.000.000 denarë. Të njëjtat para direkt nga xhepi i çdo qytetari dhe qytetare nga qyteti i Strumicës dhe nga çdo fshat i yni, do të shfrytzohen për të shlyer kredinë hungareze”.
Kujtojmë se gjithsej 80 komuna me 357 projekte kanë aplikuar në thirrjen publike të Qeverisë për fonde për realizimin e projekteve infrastrukturore në komunat në mbarë vendin me para nga buxheti i shtetit të siguruara përmes kredisë hungareze. Një pjesë dominuese e projekteve janë për fusha si ndërtimi, përmirësimi dhe rikonstruksioni i rrjeteve të ujësjellësit, kanalizimeve të ujërave të zeza, infrastrukturës rrugore, prokurimit të mjeteve të transportit etj.
Komuna që më së shumti para do të marrë nga qeveria është ajo e Kumanovës, plot 243 milionë denarë ose 4 mijë euro. Komunat shqiptare që më shumti do të marrin para është komuna e Çairit, të cilës do t’iu ndahen 169 milionë denarë, pastaj asaj të Gostivarit 162 milionë denarë, të komunës së Strugës 136 milionë.
Samir Mustafa /SHENJA/