(VIDEO) Qiramarrësi ekzekuton pronarin e shtëpisë, më pas vret veten

Dy të vdekur dhe disa të plagosur mbeten në Vollkovë të Shkupit pas një incidenti me armë zjarri gjatë mëngjesit të sotëm, ka konfirmuar Ministria e Punëve të Brendshme. Ndërkaq, jozyrtarisht raportohet se ngjarja ka ndodhur pasi një qiramarrës ka qëlluar disa herë pronarin e shtëpisë ku jetonte dhe ka plagosur djalin e tij të mitur, më pas ka vrarë edhe veten duke mos dashur të bjerë në duart e policisë. Ndërkohë, fqinjët në atë zonë, thonë se janë zgjuar nga të shtënat me armë zjarri, të ndjekur nga sirenat e policisë dhe ambulancës. Ata thanë se një pamje e tmerrshme u shpalos para syve të tyre, momentin kur panë se trupi i pronarit ishte i palëvizshëm dhe i pajetë në shkallë, në një pellg gjaku.
Ndërkaq, nga MPB thonë se i mituri është transportuar për mjekim në Kompleksin Klinik “Nënë Tereza”, dhe se personi me inicialet M.N. është autori i mundshëm i vrasjes.
Ministria e Punëve të Brendshme.
“Rreth orës 09:00 në SPB Shkup është denoncuar se në fshatin Vollkovë të rajonit të Shkupit ka pasur të shtëna me armë zjarri, me ç’rast janë plagosur disa persona. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe është konstatuar se R.C. dhe M.N. nga plagët e marra kanë vdekur në vendngjarje. Një mjek i urgjencës konstatoi vdekjen. I plagosur ka mbetur edhe një i mitur i cili është transportuar për mjekim në Kompleksin Klinikë ‘Nënë Tereza’. M.N. është autor i mundshëm i vrasjes”.
Ndërkohë, drejtoresha e Klinikës së Traumatologjisë, Marija Sërceva thotë se gjendja e të lënduarit është e qëndrueshme, dhe se po bëhen kontrollet e nevojshme. Ndërkaq, pas kontrolleve ajo potencoi se me siguri pacienti do të vazhdojë kurimin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Nga ana tjetër forcat policore janë ende në rrugët e Vollkovës, ndërsa policia po kryen hetim në vendin e ngjarjes.
Rastet tragjike janë bërë fenomen kohëve të fundit ndaj dhe kërkohet nga organet kompetente që të meren për parandalimin e këtyre fatkeqësive.
Anida Murati /SHENJA/