(VIDEO) Punësoi ilegalisht 127 persona, padi për ish drejtorin e shtëpisë së shëndetit

Sektori i punëve të brendshme Kumanovë ka ngritur kallëzim penal kundër F.A. , ish drejtor në qëndrën shëndetësore “Shtëpia e Shëndetit” në Kumanovë, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar”, njoftojnë nga ministria e punëve të brendshme. Nga atje thonë se i akuzuari ka punësuar në mënyrë të jashtëligjshme 127 persona dhe ka dëmtuar buxhetin e institucionit në fjalë për mbi 21 milion denarë.
MPB
“I akuzuari si drejtor i Institucionit Publik Shëndetësor ‘Shtëpia e Shëndetit’ Kumanovë, në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024, ka lidhur kontrata të paligjshme punësimi dhe ka punësuar persona në institucion pa miratimin paraprak nga Ministria e Shëndetësisë dhe më pas pa marrë pëlqimin nga Ministria e Financave, ka punësuar në mënyrë të paligjshme gjithsej 127 persona, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës dhe në kundërshtim me Ligjin për Transformim në Punësim të Rregullt të konstatuara nga Inspektorati Shtetëror i Punës”.
Personave të punësuar i akuzuari u ka paguar në mënyrë të paligjshme paga në një shumë totale prej 21.594.510 denarësh dhe për këtë shumë e kanë dëmtuar buxhetin e Institucionit Publik Shëndetësor “Shtëpia e Shëndetit” Kumanovë, thonë nga MPB.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/