(VIDEO) Protestuesit kërkojnë shfuqizimin e dhomave të specializuara të Kosovës në Hagë
Mijëra qytetarë kanë protestuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin dënues të Speciales ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kërkesat e protestuesve ishin shfuqizimi ose ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla e mbështetja financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së. Altin Krasniqi, djali i ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi i cili foli në emër të familjeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë falënderoi të gjithë qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme.
ALTIN KRASNIQI, DJALI I JAKUP KRASNIQIT
“Prandaj ajo që ndodhi në Hagë nuk mund të shihet vetëm si një çështje ndaj katër individëve. Për ne ky aktgjykimi prek një histori shumë më të madhe, prek sakrificën e çdo dëshmori, çdo veterani, çdo të burgosuri politik, të çdo të mbijetuari e të mbijetuare të dhunës, çdo të zhdukuri, të çdo fëmije që u vra nga forcat gjenocidale të Serbisë, të çdo familje që sakrifikoi për lirinë e Kosovës”
Në protestën që u mbajt në sheshet kryesore të kryeqytetit morën pjesë edhe politikanë të lartë, përfshirë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, deputetë të kësaj partie dhe të Aleancës, përfshirë Ramush Haradinajn. /SHENJA/

