(VIDEO) Protestat në Shqipëri: 156 të lënduar, 162 të arrestuar dhe 324 me procedura penale
162 persona të arrestuar, 324 me procedura penale dhe 156 persona të lënduar, prej tyre 97 Policë, 45 protestues dhe 12 kalimtarë të rastësishëm, ndërsa 4 prej tyre janë të mitur. Ky është bilanci 4 ditor i protestave të dhunshme studentore në Shqipëri.
Nga ministria e shëndetësisë njoftuan se vetëm gjatë protestës së zhvilluar më 16 tetor, gjithsej 21 persona kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.
Ndërkaq edhe policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me protestuesit e shoqëruar të premten gjatë incidenteve. Ata bën me dije se janë vënë në pranga 10 persona teksa janë proceduar 22 të tjerë.
Sa i përket protestuesve të lënduar sipas informacioneve të publikuara në mediat e Shqipërisë, disa nga protestuesit kanë përfunduar me lëndime të rënda dhe serioze. Protestuesi Muhamed Skana u dëmtua gjatë protestës në Tiranë, në kokë dhe në shtyllën kurrizore, pasi një polic e goditi me mburojë dhe e rrëzoi në tokë. Një tjetër aktiviste dhe protestuese Eva Pango u transportua në Spitalin e Traumës pasi u lëndua në zonën e kokës dhe fytyrës, me gjakderdhje, për të cilën u raportua se ishte dërguar në spital në gjendje të rëndë.
Ndërkohë sa I përket të arrestuarve, Gjykata e Tiranës ka caktuar të masat e sigurisë për 18 protestuesit e arrestuar gjatë ditës së parë të protestës, më 13 tetor. Për një prej tyre është vendosur masa “arrest në burg”, për 6 të tjerë “arrest në shtëpi”, ndërsa 11 janë lënë në “detyrim paraqitjeje”. Mes personave të lënë në arrest shtëpie është edhe 22-vjeçari Klevi Metaj, i cili u shfaq në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale i lidhur me pranga në kangjellat e Ministrisë së Arsimit dhe me fytyrë të gjakosur.
Ndërkohë protestat studentore janë duke vazhduar edhe sot në Shqipëri në shumë qytete, ku tensionet dhe përplasjet mes policisë dhe protestuese janë shtuar bindshëm.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

