(VIDEO) Protesta para MSH-së – 50 të punësuar në pediatri 5 muaj pa paga, ministri analizon problemin

(VIDEO) Protesta para MSH-së – 50 të punësuar në pediatri 5 muaj pa paga, ministri analizon problemin

Përderisa të punësuarit në Klnikën e Fëmijëve në Shkup, e kanë vazhduar edhe sot protestën e tyre pasi nuk kanë marrë paga 5 muaj dhe nuk u janë vazhduar kontratat e punës, të paktën e morën një përgjigje, e cila nuk ishte aspak shpresdhënëse. Pagat për muajt që kanë kaluar nuk do t’i marrin, sepse siç tha ministri i Shëndetësisë paga në mënyrë retroaktive nuk mund të paguhet sepse ligjërisht është e pamundur. Madje, në pikëpyetje është edhe nëse do ju vazhdohen kontratat.

Punonjësit pas protestës u thirrën në takim nga ministri Aliu. Pas takimit ministri para mediave deklaroi se do të zhvilloj takim me drejtorin e klinikës dhe më pas do të analizojnë gjithë procedurat administrative për të sjellë një vendim. Ndërkoh, dërgoi mesazh për drejtorët e institucioneve shëndetësore.

Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë

Nuk mund të gënjejmë dhe të luajmë me fatin e punëtorëve në shëndetësi. Shëndetësia është shumë sensitive. Të punësuarit në shëndetësi duhet të kenë një krah të fortë dhe të mbështeten në ligj dhe në administratë dhe jo në fjalë dhe dëshirat e secilit prej neve… Lus haptazi, përpara jush e shfrytëzoj rastin, çdo drejtor në institucionet publike shëndetësore në nivel të shtetit mos jep premtime pa pasur mbulesë administrative dhe mos bënë shpresa të rrejshme”.

Paraprakisht, të punësuarit e klinikës në deklarata para mediave duke kërkuar zgjidhje të problemit të tyre, thanë se vendi i tyre është që të jenë në shërbim të pacientëve dhe jo të barten labirintheve institucionale.

Samir Nuhi, i punësuar në Klinikën e Fëmijëve

Vendi jonë është në klinikë për të ju shërbyer fëmijëve, jo të endemi nëpër institucione shëndetësore për ta marrë pagën që na takon dhe ministri tha që rrogën që nuk do të paguhet ajo që keni qenë në punë, por do mundohemi të ju bëjmë kontrata të reja. Dua ta cek se ne nuk jemi këtu për me i vazhdu kontratat dhe të shkojmë në punë përsëri. Pa i marrë pagat që i kemi punuar 6 muaj, ne nuk shkojmë në punë”.

Ata shprehen të bindur se nga institucioni ku ata kanë punuar nuk është bërë asnjë gabim.

Sedat Bushi, i punësuar në Klnikën e Fëmijëve

Kjo tani është e tepërt. E hedhin topin prej njërës anë në tjetrën. Ishte fjala se Ministria e Financave ka dhënë mendim negativ, shkuam atje, na thanë do ta shohim nga fillimi. Ne jemi të sigurtë se tek Klinika nuk ka asnjë gabim, sepse kemi kolegë këtu që i kanë rregulluar ato dokumente”.

Të premten e kaluar ata protestuan para Ministrisë së Financave, ku gjithashtu zhvilluan takim me përfaqësues të dikasterit të Financave, por që atëherë nuk kanë asnjë informacion prej atje.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING