(VIDEO) Prokuroria me procedurë ndaj 43 personave, mashtruan me kreditë e shpejta

Prokuroria Themelore Publike në Shkup sot ka iniciuar procedurë kundër 43 personave të cilët përmes veprave të ndryshme të mashtrimit kompjuterik, falsifikimit të dokumenteve dhe keqpërdorimit të të dhënave personale kanë marrë pjesë në mashtrime të shumta të qytetarëve me “kreditë e shpejta”.
Prokuroria informoi se për katër nga të dyshuarit, mes tyre edhe një zyrtar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ka nisur hetimi për veprat penale – Falsifikimi i dokumentit, keqpërdorimi i të dhënave personale, mashtrimi kompjuterik ndërsa pjesa tjetër janë përfshirë në procedurë me vepra individuale të ndihmës dhe bashkëveprimit në çdo rast veçmas. Dobia pasurore e fituar në mënyrë të kundërligjshme nga të gjitha veprimet e tilla gjithsej tejkalon tre milionë denarë, thonë ata.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Prokuroria gjatë procedurës para hetimore, në kordinim me MPB-në dhe sektorin e punëve të Brendshme ka siguruar material dëshmues se duke filluar nga korriku i vitit 2022, duke përdorur mënyra të ndryshme, të dyshuarit me dashje kanë kryer vepra të lidhura kohore që përbëjnë kryerjen e shumëfishtë të të njëjtave vepra. Duke vepruar kështu, ata përdorën të njëjtat mundësi dhe rrethana të ngjashme, dhe qëllimi i tyre përfundimtar ishte të merrnin përfitime materiale për veten e tyre”.
Nga prokuroria thonë se disa nga të dyshuarit, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara me ligj dhe pa pëlqimin e qytetarëve, kanë përdorur të dhëna personale të personave të tjerë, kanë bërë dokumente publike false dhe kanë falsifikuar dokumente të vërteta publike me qëllim që këto dokumente t’i përdorin si të vërteta. Duke futur të dhëna të rreme në sistemet e informacionit të dhjetëra kompanive të ndryshme “kredi të shpejta”, si dhe duke falsifikuar nënshkrimet elektronike, kanë marrë kredi në emra të të dëmtuarve pa dijeninë e tyre, duke krijuar detyrim për personat që të shlyejnë kreditë.
Individët kanë shfrytëzuar informacione të tilla të rreme për të marrë disa kredi nga kompanitë e ndryshme brenda një dite, duke përfituar financiarisht. Më pas ata i tërhoqën paratë nga llogaria dhe pjesën më të madhe ua dhanë organizatorëve të dyshuar të mashtrimeve të tilla, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/