(VIDEO) Prokuroria ka ndërprerë hetimet ndaj pronarit të “Pucko Petrollit”
Hetimi për furnizimin me naftë për termocentralin e Negotinës gjatë krizës energjetike është ndërprerë në mungesë të provave. Sipas Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në hetimin që zgjati 1 vit, nuk ishte vërtetuar se të dyshuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin. Bëhet fjalë për hetimin që u hap ndaj 13 personave, përfshirë pronarin e “Pucko Petrollit” Asmir Jahoskin, ish drejtori i arratisur i EMV-së Vasko Kovaçevski e të tjerë.
Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit
“Pas realizimit të procedurës hetimore 1 vjeçare, prokurori kompetent solli vendim për ndërprerjen e hetimit në lëndën e lidhur me blerjen e mazutit për nevojat e termocentralin ‘Negotinë’. Nga provat e grumbulluara nuk është vërtetuar se të dyshuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat janë ngarkuar dhe as nuk është vërtetuar egzistimi i ndonjë vepre tjetër penale që përndiqet sipas detyrës zyrtare”.
Për këtë vendim, VMRO DPMNE kritikon shefin e Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Islam Abazin. Thotë se i gjithë publiku në këtë rast skandaloz pa pastrim parash, krim dhe helmim mjedisor, vetëm Islam Abazi nuk pa asgjë.
Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE
“Islam Abazi, fqiu i Ali Ahmetit nga Zajazi, po i shërben pozicionit të tij të sapofituar si kreu i Prokurorit Publik dhe nën drejtimin e treshes Filipçe, Ahmeti dhe Zaev, ai mori vendim për të ndaluar një proces gjyqësor në të cilin të dyshuar, ndër të tjerë, ish anëtari i LSD-së dhe i arratisur nga drejtësia Vasko Kovaçevski, dhe djali i një deputeti të BDI-së, Asmir Jahoski dhe Ratko Kapushevski”.
Ratko Kapushevski dhe Erxhan Sulkoski dyshoheshin se kishin paraqitur dokumentacion të rremë në periudhën 2021–2023 si themelues dhe drejtues të personit juridik duke shkelur me vetëdije rregulloret për procedurën e një thirrjeje publike për furnizimin e naftës për nevojat e Termocentralit Negotin, dhe me qëllim mashtrimin e kontratës, ata nuk i përmbushën detyrimet e tyre dhe shkelën rregullat, duke realizuar përfitime në shkallë të gjerë. Ish drejtori i përgjithshëm Vasko Kovaçevski dhe të tjerët u ndoqën penalisht sepse dyshohej se kishin dijeni se personi juridik nuk i plotësonte kriteret e kërkuara për furnizimin publik, ndihmuan në lidhjen e kontratave të furnizimit publik në favor të tij dhe i mundësuan atij të furnizonte naftë deri më 24.2.2023.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

