(VIDEO) Prokuroria inicioi procedurë ndaj dy vëllezërve që kërcënuan kryetarin e Haraçinës

(VIDEO) Prokuroria inicioi procedurë ndaj dy vëllezërve që kërcënuan kryetarin e Haraçinës

Prokuroria Themelore Publike inicoi procedurë kundër dy vëllezërve për të cilët ka dyshime të bazuara se kanë kryer vepër penale – Kërcënim i sigurisë. Fjala është për dy persona nga Komunma e Haraçinës të cilët në disa raste e kanë kërcënuar me jetë kryetarin e kësaj komune, Ridvan Ibrahimin.

PROKURORIA PUBLIKE

“Të dyshuarit, të moshës 42 dhe 35 vjeçare, në disa raste kanë kërcënuar përmes telefonit personin zyrtar – kryetar i Komunës së Haraçinës, duke shkaktuar tek ai pasiguri, shqetësim dhe frikë. Pasi i ka paraqitur, ata përmes porosive në Viber, kanë vazhduar të drejtojnë kërcënime serioze, madje edhe   me jetë”.

Prokurori kompetent i ka propozuar gjykatës caktimin e masave të kujdesit – ndalesë për lëshimin e vendbanimit/vendqëndrimit, marrje të përkohshme të dokumenteve të udhëtimit apo dokumente të tjera për kalimin e kufirit shtetëror, obligim që të paraqiten te organi kompetent, ndalesë për hyrje në selinë e Komunës së Haraçinës, si dhe ndalesë për afrim dhe vendosje të kontaktit me kryetarin e komunës.

Kjo nuk është hera e parë që, kryetari aktual i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, përballet me kërcënime dhe sulme fizike. Më 13 shtator të 2022, Ibraimi u sulmua fizikisht nga anëtar të familjes së ish-kryetarit të Komunës Brahim Ajvazi. Në të njëjtën ditë, Policia e Maqedonisë së Veriut arrestoi  tre persona në lidhje me këtë sulm. Në maj të vitit 2023 pati edhe një sulm tjetër. Për këtë policia arrestoi një qytetar të dyshuar në lidhje me sulmin ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës, i cili kishte kërcënuar me jetë kryetarin e komunës, për shkak të një lënde për shfrytëzimin e një toke.

/SHENJA/

 

MARKETING