(VIDEO) Prokurorët kërkojnë që ministri Fillkov të mos përzihet në punën e gjyqësorit
Nuk është në rregull që një ministër të përmend emra të prokurorëve dhe gjykatësve. Kështu është shprehur kryetari i Këshillit të Prokurorëve Bashkim Besimi referuar deklaratës së djeshme të ministrit të Drejtësisë Igor Filkov, i cili përmendi emrat e prokurorit dhe gjykatësit që caktuan paraburgim shtëpiak për Artan Grubin. Ndërsa për thirrjet e Filkovit që për rastin e arrestit shtëpiak, Këshilli i Prokurorëve dhe Gjykatësve të thirrin seancë urgjente për të kërkuar përgjegjësi eventuale, Besimi u shpreh se për këtë çështje kompetente është Prokuroria e Lartë dhe ajo Republikane.
Bashkim Besimi, kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publik
“Dëgjova nga mediat për thirrjet e emrave, por kompetencat e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik janë ndryshe. Pra, ne mund të debatojmë për këtë, por këtë vendos Prokuroria e Lartë dhe ajo Republikane, pra këtu ka hierarki”.
Për reagimet e politikanëve për rastin e paraburgimit shtëpiak të Grubit, ka reaguar edhe Shoqata e Prokurorëve Publik. Ajo u bën thirrje të gjitha partitve politike dhe funksionarëve që ta respektojnë dhe mos ta rrezikojnë parimin e ndarjes së pushteteve dhe të përmbahen nga retorika publike me të cilën e shkelin pavarësinë e prokurorëve në vendimmarrje.
Shoqata e Prokurorëve Publik
“Ditët e fundit jemi dëshmitarë të deklaratave të papërgjegjshme, me të cilat disa politikanë selektojnë dhe emërojnë prokurorët publik, duke i komentuar vendimet e tyre pa u njohur me lëndën konkrete dhe provat. Kjo retorikë duhet të ndaloj dhe institucionet e tjera të lejojnë prokurorët që ta bëjnë punën e tyre pa ndërprerje”.
Ministri i Drejtësisë Igor Filkov një ditë më parë kërkoi sqarim nga prokrurori publik Daniel Kocev, shefi i prokurorisë Anel Fidoski dhe nga gjykatësi i procedurës paraprake Marin Stanevski për caktimin e paraburgimit për ish zëvendëskryeministrin Artan Grubin, duke thënë se përgjegjësia për këtë vendim duhet të caktohet me emër dhe mbiemër. Ndërsa Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve ju bëri thirrje që të caktojnë seancë urgjente dhe ta shqyrtojnë këtë rast si dhe të vërtetojnë nëse ka bazë për përgjegjësi tek gjykatësi dhe prokurori.
Pas dorëzimit të Artan Grubit në kufi, pasi paraprakisht u arratis, pak pasi Prokuroria hapi lëndë për mashtrime në “Lotarinë Shtetërore” ku ai është njëri nga të dyshuarit dhe pasi i njejti ishte vendosur në lisën e zezë amerikane nën dyshimin për korrupsion, për Grubin u caktua masa e arrestit shtëpiak edhe pse për të ishte caktuar paraburgim në mungesë. Këtë vendim Prokuroria e arsyetoi duke thënë se informacionet e MPB-së dhe ASK-së thoshin se Grubi nuk ishte i sigurt në burgun e Shutkës.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

