(VIDEO) Përurohet sistemi për kontroll të përbashkët kufitar në VK Bllacë – Hani i Elezit

Golgotës së përditshme të pritjeve të gjata të qytetarëve në kufirin me Kosovën duket se më në fund do t’i vijë fundi. Të paktën kështu premton projekti i vendkalimit të përbashkët kufitar, i ashtuquajturi “One stop shop”, që u promovua sot në pikën kufitare në Bllacë. Kjo nënkupton se tani më qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrjen e shtetit pritës, ndërsa të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik. E kjo, pritet që të përshpejtojë lëvizjen dhe të reduktojë pritjet në kufi. Në përurimin e nisjes së këtij projekti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se, kjo pikë e përbashkët kufitare nuk është vetëm kalim mes dy shteteve, por kalim drejt vlerave evropiane, përkatësisht bashkëpunimit, integrimit dhe lëvizjes së lirë.
Hristijan Mickoski, kryeministër i RMV-së
“Ky kufi, që deri tani nënkuptonte pengesë, nga sot bëhet simbol i modernitetit, integrimit dhe pjekurisë rajonale. Të dashur miq, Ne nuk e ndërtojmë vetëm infrastrukturën e pikës kufitare, por ndërtojmë infrastrukturën e besimit të ndërsjellë. Ndërtimi i respektit dhe partneritetit të ndërsjellë nuk ndodh brenda natës. Megjithatë, çdo hap, çdo marrëveshje, çdo vendim i përbashkët na afron më shumë drejt vizionit për një rajon me dyer të hapura, stabilitet dhe përparim. Nuk do të ketë më pritje me orë të tëra në kufi”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky model do të mundësojë sistemimin e policisë kufitare vetëm në hyrje duke optimizuar resurset dhe rritur kapacitetet për përballjen me fluksin në rritje të qytetarëve. Ai po ashtu, theksoi edhe rëndësinë e përfundimit të autostradës Shkup – Bllacë.
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës
“Vetëm gjatë vitit 2024 mbi 5 milionë qytetarë kaluan në tri pikat kufitare mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Kjo shifër dëshmon për lidhjen mes njerëzve tanë por edhe për nevojën për lëvizje të lirë e të shpejtë, si të qytetarëve ashtu edhe të mallrave. ///Shpresoj që kjo nismë të shoqërohet me përfundimin sa më të shpejtë të autostradës Bllacë – Shkup dhe të tunelit në aksin Tetovë – Prizren, dy projekte jetike që do të forcojnë më tej lidhjen mes qytetarëve dhe bizneseve e do të rrisin mobilitetin, bashkëpunimin dhe zhvillimin ndërshtetëror”.
Në përurim ishte edhe zëvendëskryeministri,Izet Mexhiti i cili tha se, ky është hapi i radhës drejt realizimit të konceptit Evropa pa kufij.
Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër
“Integrimi nuk është vetëm proces politik, është vizioni ynë për një të ardhme pa mure, pa kufij që ndajnë, por me ura që lidhin. Për një Ballkan të paqes, zhvillimit dhe drejtësisë, për një Evropë që mban premtimet e veta dhe nuk ndalet në pragun e derës sonë”.
Kujtojmë se, marrëveshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për marrëveshjen kufitare ndërmjet këtyre dy shteteve u ratifikua më 22 dhjetor të vitit 2023, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është ratifikuar.
Teuta Buçi /SHENJA/