(VIDEO) Përfundoi shporta e vitit të ri, çmimet u rritën për 4.3
Sot përfundon masa “Shporta e vitit të ri” e sjellë me iniciativë të sektorit të biznesit, e cila hyri në fuqi nga 15 dhjetori I vitit të kaluar. Nga ministria e ekonomisë dhe punës thanë se Shporta e Vitit të Ri rezultoi e suksesshme dhe kontribuoi në uljen e çmimeve të produkteve të përfshira në të. Ata thonë se suksesi vërehet në faktin se ajo përfshinte 1178 produkte nga 96 prodhues dhe shpërndarës dhe u zbatua në 762 pika shitje në 51 tregje, ndërsa shpenzimet e ushqimeve dhe pijeve në dhjetor u ulën me 0.3%.
MINISTRIA E EKONOMISË DHE PUNËS
“Të dhënat statistikore tregojnë se në dhjetor 2024 krahasuar me nëntorin 2024, ulja e kostove të jetesës për ushqime dhe pije joalkoolike ishte 0,3% më pak. Kjo tregon se shporta e Vitit të Ri, e cila përfshinte kryesisht ushqime dhe pije joalkoolike, pati efektin e saj dhe çmimet e ushqimeve dhe pijeve në dhjetor 2024 u ulën në krahasim me nëntorin e vitit 2024”.
Lidhur me “shportën e vitit të ri” reagim sot pati edhe nga LSDM-ja. Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska tha se të ashtuquajturat “shporta” rezultuan një dështim i plotë, në vend që t’ua lehtësojnë jetën qytetarëve, ato shkaktuan kosto edhe më të madhe dhe ulën standardin e jetesës së qytetarëve. Ajo theksoi se të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se kostoja e jetesës në dhjetor 2024 është rritur për 4.4%, ndërsa çmimet e produkteve bazë janë rritur për 4.3%.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Në vend të uljes, çmimet e produkteve bazë u rritën. Vaji, vezët, sheqeri, produktet e qumështit, bizelet, fasulet dhe thjerrëzat janë bërë më të shtrenjta. Qytetarët e shohin këtë realitet të ashpër nëpër markete dhe dyqane dhe e jetojnë çdo ditë, duke luftuar për të siguruar nevojat elementare për familjet e tyre. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se kostoja e jetesës në dhjetor 2024 është rritur për 4.4%, ndërsa çmimet e produkteve bazë janë rritur për 4.3%, inflacioni gjithashtu u rrit, në dhjetor të 2024 është për 4.4 % më i lartë. Këto të dhënë tregojnë qartë se politikat e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së janë krejtësisht të dështuara dhe të gabuara”.
Sa i përket masave të fundit të quajtura “shporta” qytetarët vazhdimisht janë ankuar dhe kanë shprehur revoltë se çmimet në vend që të ulen, janë rritur edhe më shumë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/