(VIDEO) Pas shtatë vitesh në arrati, dorëzohet i akuzuari për dhunë në kuvend
Pas shtatë vitesh në arrati, Dejan Davidovski Desho iu është dorëzuar autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në pikën kufitare “Deve Bair” në hyrje të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Davidovski kërkohej me fletarrest ndërkombëtar lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për sulmin në Kuvend më 27 prill të vitit 2017. Dyshohet për bashkim kriminal dhe rrezikim të rendit kushtetues dhe sigurisë.
Ai para 5 vitesh u arrestua në Suedi, por Gjykata Supreme e Suedisë e hodhi poshtë kërkesën e Maqedonisë së Veriut për ekstradim.
Para 2 muajve në pushim prej 30 ditësh u lëshuan pesë të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017. Pakënaqësi të shumta lidhur me këtë kishte Ziadin Sela nga ASH, I cili kishte pësuar më së shumti nga kjo ngjarje. Ai kërkoi nga qeveria e re dhe nga ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, të japin llogari se përse kriminelët e 27 Prillit janë në shtëpi e jo duke vuajtur burgimin.
Më 24 prill 2017 në ditën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, një turmë huliganësh u futën në objektin e shtëpisë legjislative dhe sulmuan deputetët dhe gazetarët. Protestuesit, me ndihmën e policisë, e cila ishte nën udhëheqjen e Mitko Çavkovit nga VMRO-DPMNE-ja dhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, u futën dhunshëm në objektin e Kuvendit.
Prokuroria më 27 mars të vitit 2018-të ngriti akuzë kundër 30 personave, prej të cilëve disa u arestuan ndërkaq disa u arratisën.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/