(VIDEO) Partitë shkëmbejnë akuza për rezultatin e zgjedhjeve

“Tentativat e dëshpëruara të AKI së shpartalluar dhe pa busull për t’i përkthyer zgjedhjet e 19 tetorit në “mandate deputetësh” janë dëshmi se ky koalicion nuk ka humbur vetëm vota, por edhe kontaktin me realitetin”, kështu thonë nga VLEN. Sipas tyre, deklaratat e Arbër Ademit, Blerant Ramadanit, Krenar Llogës dhe disa të tjerëve, që dalin me grafikone imagjinare për “deputetë të ardhshëm” janë dëshmi e panikut që ka përfshirë “koalicionin me shirit ngjitës”, siç e cilësojë ata.
VLEN
“Në më shumë se dhjetë komuna, shqiptarët dhanë besimin për energji të re, për fytyra që punojnë, jo që fshihen pas patriotizmit të rremë kur s’kanë çfarë t’u ofrojnë njerëzve. Katër ditë me radhë, lideri i tyre ‘i pakontestueshëm’, Ali Ahmeti, nuk është shfaqur askund. Ndoshta ende po pret t’ia tregojnë rezultatet e ‘referendumit’. Arbër Ademit, Blerant Ramadanit dhe Krenar Llogës u urojmë dalje sa më të shpeshta publike. Çdo herë që flasin, AKI humb nga një mijë vota. Dhe ne, sinqerisht, s’kemi asgjë kundër”.
Nga ana tjetër, Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim thekson se ata janë fituesit e zgjedhjeve lokale, duke përmendur votat për listat e këshilltarëve. Ata thonë se nëse atë ditë do të kishte zgjedhje parlamentare, AKI do të kishte 20 mandate, përkundrejt 15 të VLEN-it.
AKI
“Për më pak se një vit e gjysmë, në tri palë zgjedhje: presidenciale, parlamentare dhe tash edhe lokale legjitimiteti politik i Aleancës Kombëtare për Integrim është rikonfirmuar fuqishëm dhe pa ekuivok. Edhe në këto zgjedhje lokale, të mbajtura të dielën, AKI është fituese në rrafshin kombëtar. Në zgjedhjet për këshilla komunalë, AKI ka një epërsi prej mbi 23.000 votash në nivel kombëtar; Dhe, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin po atë ditë, AKI do të kishte 20 mandate, përkundrejt 15 të kampit tjetër politik”.
Ata shtuan se edhe këto zgjedhje lokale e kanë konfirmuan qartë se AKI është fituese në rrafshin kombëtar, duke theksuar se risija më e madhe e këtij cikli zgjedhor është Komuna e Çashkës, ku dy partitë maqedonase sot po bëjnë çmos me ankesa dhe kundërshtime për të zhbërë një fitore historike të Aleancës Kombëtare për Integrim. Ndërkaq fitore të thella e bindëse janë shënuar në Gostivar, Vrapçishtë, Likovë e Plasnicë.
Anida Murati /SHENJA/