(VIDEO) Partitë politike akuzojnë njëra-tjetrën për ikjen e Blerim Ramadanit

(VIDEO) Partitë politike akuzojnë njëra-tjetrën për ikjen e Blerim Ramadanit

Reagimet e partive politike në vend, për arratisjen nga burgu shtëpiak të ish ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, janë bërë përditshmëri.

Nga partia opozitare maqedonase LSDM, deklarojnë se një punonjës në komunën e Çairit e ka dërguar Blerim Ramadanin në Kosovë! Nga kjo parti kërkojnë që Prokuroria të fillojë një hetim të menjëhershëm, ndërsa për ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, kërkojnë  të dorëzojë dorëheqje. Mitko Trajçuleski nga partia opozitare tha se nëse PTHP nuk e bën këtë, do të konsiderojnë se e mbron MPB-në dhe Toshkovskin nga përgjegjësia, si dhe të gjithë të përfshirët në këtë rast.

MITKO TRAJÇULESKI, LSDM

“Më 14 gusht, katër ditë më vonë, pra në ditën kur Ramadani largohet zyrtarisht nga vendi, një person tjetër e merr përtej kufirit. Për transport këtë herë me veturë Volkswagen Passat me targa të Shkupit, përgjegjës është një person i punësuar në komunën e Çairit si udhëheqës. Ne nuk do të zbulojmë identitetin e tij dhe do të presim që PTHP ta bëjë këtë”.

Kanë reaguar edhe partia opozitare shqiptare, BDI. Ata në një komunikatë për media kanë thënë se Izet Mexhiti dhe Arben Taravari janë lavdëruar për lirimin e Blerim Ramadanit, ish ushtarit të UÇK-së. Sipas tyre, MPB dhe Prokuroria duhet t’i marrë në pyetje dhe t’i mban të përgjegjshëm për rolin e tyre në “lirimin” e Ramadanit!

BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

“Me postime lavdëruese në profilet e tyre në Facebook, xhentëllmeni dhe ndërtuesi sipërmarrës Izet Mexhiti dhe doktor % Arben Taravari, nxituan t’i marrin meritat për ‘lirimin’ e ish ushtarit të UÇKsë. MPB dhr Prokuroria duhet t’i marrë në pyetje dhe t’i mban të përgjegjshëm për rolin e tyre në “lirimin” e Ramadanit! A pajtohen në veçanti Mexhiti, por edhe Taravari, Kasami, Gashi, Qoku, me VMRO DPMNE që gjykatësi Pajazit Pajaziti është përgjegjës për ikjen? A po konsiderojnë atë përgjegjesi ka MPB si në gjithë botën”.

Ndërkaq, nga koalicioni VLEN, LSDM-në  e quajnë  zëdhënëse të BDI-së. Sipas tyre, BDI-ja u përpoq të siguronte ekstradimin e Blerim Ramadanit në Serbi për të krijuar tensione dhe për të akuzuar VLEN-in për tradhti, tani siç thonë, po i servon informacione të rreme LSDM-së.

VLEN

“Dhe kështu, dëshpërimi për vëmendje mediatike e bën të vetën. Ata mendojnë se me rrëfime të tilla gjoja bombastike do të mbulojnë dobësitë e tyre të brendshme. Prandaj, i themi LSDM-së dhe BDI-së të mos sillen sipas asaj fjalës “pula e uritur, ëndërron misër”! Le të presin vendimin përfundimtar të gjykatave për ekstradimin përpara se të dalin me absurditete. Dhe mund të jenë plotësisht të sigurt se koalicioni qeveritar nuk mund të tronditet nga struktura të zhytura deri në fyt në korrupsion politik, të cilat janë në një frikë panike nga përgjegjësia penale”.

E nga  VMRO-DPMNE, shprehën të prerë, deputeti nga partia në pushtet thotë se fajtor për arratisjen e Ramadanit është vetëm gjykatësi, Pajazit Pajaziti.

BRANE PETRUSHEVSKI,DEPUTET I VMRO-DPMNE

“Pajaziti të shkarkohet menjëherë, ai është vetëm gjykatës për mbrojtjen e SDS-së dhe BDI-së përmes instalimeve të tyre në gjyqësor. SDS-ja me ditë të tëra gënjen dhe manipulon, vetëm që ky ekzekutues i BDI-së të mbetet gjykatës”.

Petrushevski më tej tha se nëse Pajaziti do të ishte dënuar me paraburgim efektiv, tani Ramadani do të ishte në burgun e Shutkës dhe sipas tij, nuk do të ndodhte e gjithë kjo.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING