(VIDEO) Partitë opozitare shqiptare kërkojnë të ruhet origjinaliteti i Kalasë së Shkupit

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj projektit të miratuar nga ana e Ministrisë së Kulturës për pastrimin e kalasë së Shkupit, projekt të cilin ditë më parë e paralajmëruan disa krerë të VMRO-DPMNE-së të shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se çdo ndërhyrje në Kalanë e Shkupit duhet të bëhet bazuar në standard profesionale, duke u ruajtur origjinaliteti. Për më tepër, integristët kërkojnë që Ministria e Kulturës të ndërpres çdo iniciativë që mund të dëmtojë, sipas BDI-së, identitetin historik të Kalasë.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Shprehim shqetësimin lidhur me projektin e paralajmëruar për ndërtimin e objekteve të reja në hapësirën e Kalasë së Shkupit, të cilat, në vend të ruajtjes dhe promovimit të vlerave historike, rrezikojnë të shëmtojnë dhe të tjetërsojnë origjinalitetin arkitektonik e kulturor të këtij lokaliteti me rëndësi të veçantë për të gjithë qytetarët. Kalaja e Shkupit duhet të ruhet dhe restaurohet, jo të ndërtohet mbi të dhe as të riinterpretohet në dritën e agjendave ditore.
BDI-ja nuk është partia opozitare e vetme që ka reaguar për këtë, pasi për të njëjtën çështje ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela. Partia tjetër pjesë e Frontit Europian ka akuzuar Qeverinë e cila sipas ASH-së, tenton falsifikimin e historisë, përmes projekteve në Kalanë e Shkupit
ASH – ZIADIN SELA
“Për një vit VMRO-DPMNE po rikthen të gjitha projektet nacionaliste dhe diskriminuese. Vendimi i fundit për ‘revitalizimin’ e dy muzeve në Kalanë e Shkupit nuk është asgjë tjetër, vetëm se vazhdim i projektit famëkeq për ndërtimin e muzeve për falsifikimin e historisë dhe të vërtetës për Kalanë. Tendencat e këtilla kalojnë çdo kufi të tolerancës, prekin rëndë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve si dhe historinë tonë shekullore. Kujtojmë se një projekt i tillë që në fillim pati nxitur tensione ndëretnike me pasoja afatgjate”
Ministria e Kulturës ka ndarë 8 milionë denarë për investime në Kalanë e Shkupit, punime që do të zgjatin deri në vitin 2026-të, kur do të lëshohet për shfrytëzim.
Mevludin Imeri /SHENJA/