(VIDEO) Partitë dhe politikanët shqiptarë me akuza të ndërsjella për Jeni Xhaminë
Një ditë para ditës së Alfabetit, Jeni Xhamia e cila gjendet në Manastir, u shndërua në muze të trashëgimisë kulturore të krishterizmit dhe islamit. Ky vendim ngjalli reagime të shumta edhe nga partitë politike.
Nga VLEN akuzojnë BDI-në se janë fajtori kryesor për shndërimin e xhamisë në muze dhe thonë se BDI-ja nuk ka asnjë të drejtë morale të flasë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore apo fetare pasi siç thonë ata ankesat e popullit shqipëtar lidhur me këtë xhami datojnë prej 2 dekadash, për aq sa BDI ka qenë në pushtet.
VLEN
“Megjithatë, duke qenë të zënë me korrupsion, zhvatje dhe mbrojtjen e ‘Luginës së Ujqve’ të partisë së tyre, ata këto zëra i kanë shtypur përmes pushtetit. Bashkimi për Devalvimin e Institucioneve duhet të pyesë kuadrin e saj, Behixhudin Shehapin, se pse në vitin 2011, gjatë periudhës kur ai mbante pozita kyçe në institucionet e kulturës, emri i Jeni Xhamisë u ndryshua në ‘Kisha Shën Gjorgji’”.
Nga BDI thanë se ky vendim është i njëanshëm dhe se është tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional që po vijon dhe bën kjo qeveri.
BDI
“Ky akt, i cili vazhdon logjikën e vendimeve të njëanshme, është një tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional, etnik dhe fetar që ka karakterizuar këtë qeveri. Dënojmë me vendosmëri këtë qasje të papërgjegjshme, e cila thellon ndarjet ndërfetare dhe ndëretnike në shoqërinë tonë”.
Lidhur me këtë kanë reaguar edhe deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Përfaqësuesit e Lëvizjes së Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Salih Murat dhe profesor Sulejman Baki thonë se ky vendim arbitrar dhe i paligjshëm është në kundërshtim me vlerat themelore të vendit tonë, kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare.
SALIH MURAT, DEPUTET
“Dënojmë fuqishëm vendimin për shndërrimin e Xhamisë së Re në Manastir në ‘Muzeun e Trashëgimisë Kulturore Kristiane dhe Islame’. Ky vendim arbitrar dhe i paligjshëm është qartësisht në kundërshtim me vlerat themelore të vendit tonë, kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare”.
Profesor Sulejman Baki tha se ky akt i Ministrisë së Kulturës, është i pakuptimtë dhe se një veprim I tillë duhet të dënohet.
SULEJMAN BAKI, PROFESOR
“Kërkojmë që ky uzurpim i paligjshëm të marrë fund menjëherë dhe ky objekt historik turko-islamik të kthehet në funksionin e saj origjinal si xhami, duke iu dorëzuar Myftinisë së Manastirit, në emër të drejtësisë dhe ligjit”.
Kryetari i Lëvizjes “Populli” njëherit deputeti Skender Rexhepi, këtë akt e vlerëson si deislamizim të pjesës lindore të RMV-së.
SKENDER REXHEPI, DEPUTET
“Kur themi që agjenda e kësaj qeverie është deshqiptarizimi i shtetit, po rezulton që përsëri kemi thënë pak, ngase tash i erdhi radha edhe deislamizimit të pjesës lindore të RMV-së”.
Reagim ka pasur edhe nga ish ministri I drejtësisë Krenar Lloga. Lloga thotë se këto veprime deri më tani ishin antishqiptare ndërsa tani janë edhe anti islame.
KRENAR LLOGA, ISH MINISTËR I DREJTËSISË
“I dënoj ashpër këto veprime disa mujore që janë antishqiptare dhe tanimë edhe antiislame. Ca kukulla që flasin shqip po prekin në çdo gjë të shejntë tonën, si përkatësin etnike, diasporën, gjuhën shqipe e tani edhe xhamitë tona”.
Deputetët u bënë thirrje autoriteteve shtetërore që të marrin masa sepse siç thonë ata ky vendim është në kundërshtim me Kushtetutën që garantojnë lirinë e fesë dhe adhurimit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/