(VIDEO) Parkingu i Qendrës Klinike, Aliu premton se deri në maj do të zgjidhet problemi
Numër i madh i ministrave të Shëndetësisë që tashmë janë ish, kishin premtuar rregullimin e parkingut në Qendrën Klinike, por qytetarët edhe sot po përballen me këtë problematikë çdo ditë.
I pyetur nga TV Shenja, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se problemi administrativ është tejkaluar dhe se më së voni deri në maj, pritet të rregullohet problemi me hapsirën parkuese me të cilën do të menaxhojnë Ndërmarrja Publike, Parkingjet e Qytetit.
Ai shtoi se, Qendra Klinike do të ketë garazhë në kate dhe hapësirë të rregulluar dhe funksionale po edhe digjitale.
AZIR ALIU, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Parkingu ishte problem administrativ, thash që e kemi zgjedhur, në nivel të Qeverisë veçmë ka kaluar. Tanimë priteshte tetë ditë që të dalë në gazetën zyrtare, besoj që ka kaluar edhe në gazetën zyrtare, tash do të duhet edhe me institucionin përkatës të nënshkruajmë kontrata dhe të fillohet me punë, me pjesën e fundit”.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që një ministër premton zgjidhje për këtë çështje. Premtime të ngjashme janë dhënë edhe nga ish-ministri Arben Taravari dhe nga disa paraardhës të tjerë, por situata në terren ka mbetur e pandryshuar. Qytetarët dhe pacientët vazhdojnë të humbin kohë dhe të përballen me stres vetëm për të gjetur një vend parkimi. Zgjidhje alternative janë përmendur dhe provuar edhe më herët, por asnjëra nuk është zbatuar me sukses.
Mevludin Imeri /SHENJA/

