(VIDEO) Padi penale kundër ish kryetarit të Strumicës
Policia e Strumicës ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike kundër ish-kryetarit të Strumicës, Kostadin Kostadinov, dhe pesë personave të tjerë për dyshime për keqpërdorim të procedurës së prokurimit publik të 10 autobusëve elektrik në vlerë të përgjithshme prej 6,9 milionë eurove. Kostandinov ngarkohet me veprën penale keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, dhënies së kontratës për prokurim publik apo partneritet publiko-privat.
Në kallëzim thuhet se, në cilësinë e kryetarit të komunës, Kostadinov i ka tejkaluar rregullat e procedurës së prokurimit publik për blerjen e autobusëve për nevojat e NTP “Strumica-Transport” dhe e ka angazhuar përgjegjësin për çështje teknike, për pjesëmarrje në vlerësimin teknik të ofertave, si dhe për mbikëqyrjen e zbatimit dhe realizimit të kontratës, edhe pse ai nuk i ka pasur kualifikimet e nevojshme dhe licencën A të kërkuar për mbikëqyrje në fushën e inxhinierisë elektrike, e cila lëshohet nga Dhoma e arkitektëve dhe inxhinierëve të autorizuar.
MPB
“Janë paraqitur kallëzime penale edhe kundër personave D. P. S. (61) nga Strumica, K. B. (37) nga Bogdanci, L. J. (63) nga fshati Novo Sello e Strumicës dhe L. Gj. (62) nga Strumica për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale punim i pandërgjegjshëm në shërbim, si dhe kundër G. P. (58) nga Shkupi për shkak të dyshimit se ka ndihmuar në kryerjen e veprave penale keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat dhe kryerje e pakujdesshme të detyrës”.
Ndërkaq, i denoncuari D. P. S., në cilësinë e drejtorit të NTP “Strumica-Transport”, nuk ka kryer mbikëqyrje mbi të gjithë procedurën dhe më 12 mars 2024 e ka nënshkruar Kontratën për prokurimin publik të 10 autobusëve të rinj elektrikë përmes leasingut financiar.
Përveç dëmit material të shkaktuar në përmasa të mëdha, me këtë prokurim vihet në pikëpyetje vlera reale, cilësia, siguria dhe besueshmëria e specifikimeve teknike të autobusëve elektrikë të blerë.
Teuta Buçi /SHENJA/

