(VIDEO) Padi ndaj një 36 vjeçari për tentim-vrasjen e kryetarit të komunës së Haraçinës

(VIDEO) Padi ndaj një 36 vjeçari për tentim-vrasjen e kryetarit të komunës së Haraçinës

Ministria e Punëve të Brendshme informoi se ka zbardhur ngjarjen  e datës 01 prill 2024, kur një person qëlloi me automatik drejt kryetarit të Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimit duke plagosur dy persona të tjerë, E.E (39) dhe A.A (22).  Kundër 36 vjeçarit me iniciale M.A është ngritur padi për veprën penale ‘vrasje e mbetur në tentativë’.

 MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

“Menjëherë pas ngjarjes u ndërmorën veprime të shumta operative taktike dhe hetimore, ku u konstatua identiteti i kryesit. Pas kompletimit të plotë të materialeve zyrtare dhe raporteve të kryera të ekspertizës, me datë 16.07.2024, në PThP Shkup është paraqitur kallëzim penal kundër M.A. (36) për veprën e kryer ‘vrasje e mbetur në tentativë’, e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit 123 në lidhje me nenin 19 të KP”.

Incidenti ndodhi pasditën e 1 prillit në komunën e Haraçinës në Shkup, ku shënjestër e të shtënave me armë ishte kryetari i komunës, i cili kishte dalë në terren për të inspektuar punimet në rrugë.

Kryetari I Komunës së Haraçinës disa herë ka qenë cak I sulmeve dhe kërcënimeve verbale dhe fizike. Ibrahimi është ankuar në maj të vitit të kaluar, 2023, se dikush e ka kërcënuar me jetë derisa ai nuk ishte i pranishëm në ndërtesën e komunës.

Nga hetimet rezultoi se ka qenë një bashkëfshatar, i cili e ka kërcënuar pasi nuk ka qenë i kënaqur me trajtimin e një cështjeje lidhur me shfrytëzimin e tokës shtetërore. Kërcënimet i ka bërë para disa personave në komunë. Gjithashtu, denoncim në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka pasur edhe në shtator të vitit 2022, kur kryetari i komunës ka njoftuar se është sulmuar fizikisht në ambientet e komunës.

Merxhane Iseni /SHENJA/

 

 

MARKETING