(VIDEO) Osmani: T’i ndalohet hyrja në RMV kujdo që mohon ekzistencën e popullit maqedonas

(VIDEO) Osmani: T’i ndalohet hyrja në RMV kujdo që mohon ekzistencën e popullit maqedonas

Kryeministri Dimitar Kovaçevski është pyetur sot nëse eurodeputetit bullgar Angell Xhambaski do t’i ndalohet pjesëmarrja në festën e ditëlindjes së revolucionarit maqedonas Goce Dellçev. Kreu i Ekzekutivit deklaroi se kjo është procedurë e paraparë në Ligjin për të Huajt, i cili udhëhiqet nga Ministria e Punëve të Brendshme.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Janë tre arsye të detajuara dhe nëse ai person, pavarësisht nëse është politikan apo është i angazhuar në ndonjë aktivitet tjetër, dëshiron të hyjë në vend, nëse identifikohet nga Ministria e Punëve të Brendshme për ato arsye, atëherë I caktohet procedurë dhe ai nuk do të mund të hyjë në shtet”.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski tha se prioriteti kryesor është që Qeveria të ruajë paqen dhe stabilitetin në vend, nëse një grup bullgar që është kundër identitetit maqedonas vjen në vend për të festuar 4 shkurtin, ditën e lindjes së Goce Dellçevit. Sa i përket asaj se a do t’i ndalohet hyrja deputetit bullgar Xhambaski më 4 shkurt, Spasovski tha se atë ditë do të vendosin se çfarë do të bëjnë.

OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Nuk është e mirë për marrëdhëniet politike si brenda vendit ashtu edhe mes fqinjëve. Ne e dimë se kemi gjithmonë struktura radikale që për interesa personale apo të tjera duan të prishin atë proces të stabilizimit të marrëdhënieve. Nga ana tjetër, ne nuk duhet të lejojmë që siguria e qytetarëve tanë të cenohet”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani pajtohet me idenë e presidentit Stevo Pendarovski, i cili tha se duhet t’i ndalohet hyrja çdokujt që sulmon identitetin maqedonas.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

“Shpallje të ndalesave për qytetarët që ofendojnë. Këtë mesazh e dhashë në Sofje. Ne duhet të vendosim parim, kushdo që ofendon në territorin e Maqedonisë së Veriut, që do të mohojë ekzistencën e popullit maqedonas, ose do të tregojë pretendime territoriale, duhet t’i ndalohet hyrja e mëtejshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Tensionet me Bullgarinë janë rritur sidomos pasi eurodeputeti bullgar Angell Xhambaski ka provokuar qytetarët e Maqedonisë së Veriut gjatë një tubimi në Shkup në përvjetorin e vdekjes së revolucinares Mare Buneva.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/