(VIDEO) Osmani: Të mos i mashtrojmë qytetarët, nuk mund të shtyhet afati për pasaportat
Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani njoftoi se është kontaktuar pala greke për rëndësinë e dokumenteve personale që duhet të zëvendësohen deri më 12 shkurt, por apelon që në vend të iniciativave për shtyrje të afatit kohor për shfrytëzimin e pikëve politike, të fokusohemi në nxjerrjen e dokumenteve.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Marrëveshja e Prespës është një marrëveshje ndërkombëtare. Mendoj se në vend që të përqendrohemi në dhënien e shpresës së rreme qytetarëve se do të ndryshojmë dispozitat e Marrëveshjes së Prespës dhe do të ndryshojmë Ligjin për Zbatimin e Amendamenteve Kushtetuese, le të punojmë që qytetarët të mos kenë asnjë pengesë pas 13 shkurtit, të përshpejtojmë në dhënien e pasaportave. Mendoj se është më e shëndetshme t’u thuash qytetarëve se ky është një detyrim që zgjat pesë vjet”.
Osmani theksoi se as iniciativa në Gjykatën Kushtetuese dhe as ndonjë ndryshim në ligj nuk do të mund të ndryshojë Marrëveshjen e Prespës. Ai sqaroi se ka pasur takim me ambasadoren greke dhe koordinim ndërinstitucional me ministritë e brendshme dhe të transportit për të shqyrtuar të gjitha sfidat që mund të dalin pas datës 13 shkurt për t’iu dalë në ndihnmë qytetarëve.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“U dakorduam që të jemi në komunikim të përditshëm me palën greke që qytetarët të mos kenë probleme pas 13 shkurtit për transportuesit, për lejet e qarkullimit, për pasaportat. Për letërnjoftimet MPB njofoti se ligji ka ngecur në Kuvend. Ato afate nuk janë të pasqyruara në Ligjin për letërnjoftimet dhe për këtë arsye ato mund të shfrytëzohen për obligime të brendshme por për dokumentet e udhëtimit dhe për dokumentet tjera në Ligjin Kushtetues dhe në vendimet e tjera ligjore, afati është pesë vjet nga hyrja e ligjit në fuqi, pra është data 13 shkurt”.
Osmani tha se MPJ do të bëjë gjithçka që ka në dorë që pas 13 shkurtit të mos ketë pasoja.
Ndërkaq, një ditë më parë Ministria e Punëve të Brendshme informoi se letërnjoftimet që kanë afat dhe janë me emrin e vjetër të shtetit do të jenë të vlefshme edhe pas 13 shkurtit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/