(VIDEO) Osmani: Integrimi në NATO dhe BE është përgjigjja më e mirë ndaj ambicieve perandorake ruse

(VIDEO) Osmani: Integrimi në NATO dhe BE është përgjigjja më e mirë ndaj ambicieve perandorake ruse

Katërvjetori i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO është shënuar me një sërë aktivitetesh. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka udhëhequr manifestimin tradicional të NATO-s, i cili shënon fillimin e Ditëve të NATO-s në vend, me të cilat përkujtohet anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe 75 vjetori i formimit të Aleancës veri-atlantike.  Osmani theksoi se integrimi në NATO dhe BE është përgjigjja më e mirë ndaj ambicieve perandorake ruse, duke shtuar se Ukraina është vetëm ndalesa e parë, ndërsa shënjestra e radhës mund të jenë vendet e Ballkanit Perëndimor.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

 “Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO u realizua në një moment shumë të përshtatshëm, para fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Në këtë mënyrë vendi nuk është vetëm faktor stabilizimi i rajonit, por edhe nxitës për vendet e fqinjësisë sonë, të cilat kanë vullnet dhe janë të gatshëm të qëndrojnë pas vlerave dhe synimeve të përbashkëta euroatlantike”.

Edhe zëvëndëskryeministri Bojan Mariçiq,  tha se kanë përmbushur ëndrrën e shumë gjeneratave dhe se duhet të përmbushin ëndrrën e Bashkimit Evropian.

BOJAN MARIÇIQ, ZËVËNDËS KRYETAR I QEVERISË PËR ÇËSHTJE EUROPIANE

“Ashtu siç nuk hoqëm dorë nga NATO-ja, ashtu, pavarësisht nga të gjitha sfidat, nuk ka heqje dorë as nga BE-ja. Ashtu siç kemi vënë në plan të parë interesat e qytetarëve dhe të shtetit në krahasim me interesat personale apo partiake kur kemi marrë vendimet e vështira për NATO-n, të njëjtën gjë do të bëjmë edhe për anëtarësimin tonë në BE. Por, si sot për NATO-n, kur të festojmë përvjetor të anëtarësimit në BE, e dimë se qytetarët do të na jenë mirënjohës”.

Gjithashtu sot u mbajtë ceremoni ku tridhjetë qytetarë të rinj, oficerë të ardhshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Akademinë Ushtarake në Shkup dhanë betimin solemn, pas së cilës do të fillojnë shkollimin në Akademinë Ushtarake. Në këtë ceremoni mori fjalën ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, e cila tha se betimi i tyre simbolizon përkushtimin e tyre të palëkundur.

SLAVJANKA PETROVSKA, MINISTRE E MBROJTJES

“Do t’ju besohet jeta e atyre që do të jenë nën komandën tuaj dhe vendimet që do të merrni do të kenë një ndikim të madh në mirëqenien e tyre si dhe në sigurinë e atdheut tonë. Prandaj, studioni përmbajtjet gjatë kursit me përkushtim dhe kujdes, përmirësoni aftësitë tuaja dhe lërini forcën dhe përkushtimin tuaj të kapërcejë të gjitha sfidat”

Gjatë ceremonisë morën pjesë komandanti i Komandës për Stërvitje dhe Doktrina, kolonel Vasko Kokolanski, përfaqësues të Akademisë Ushtarake, si dhe të ftuar të tjerë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria. /SHENJA/

 

MARKETING