(VIDEO) Organizohet turneu i tretë i shahut “Vizioni M” 2023

(VIDEO) Organizohet turneu i tretë i shahut “Vizioni M” 2023

Klubi “Anpasan” ka organizuar këtë fundjavë turneun e tretë tradicional të shahut “Vizioni M” 2023. Në hotelin “Skardus” në Kodrën e Diellit të Tetovës, këtë vit turneu i “Vizioni M” doli të jetë më prestigjioz me pjesëmarrje masovike, në të cilin ishin mbi 200 shahist nga vende të ndryshme si Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Serbia, Greqia e Italia, duke e bërë turneun më të dalluar nga vitet e kaluara. Turneu u zhvillua në tipin e hapur, me 9 xhiro sipas sistemit zviceran.

Nazmidin Imeri, organizator
Turneu i tretë me radhë, i cili është shpallur vitin e kaluar, turne tradicional. Pjesëmarrja është jashtëzakonisht e madhe dhe planifikojmë për vitin e ardhshëm që ta bëjmë turneu sa më masovik, pasi shahu në Maqedoninë e Veriut shkon vetëm në rritje dhe nga shtatori shahu do të jetë edhe si lëndë zgjedhore nëpër shkolla, ku do të kemi edhe gjenerata të reja”.
Bekim Sulejmani, organizator
“Vizioni M është bërë brend i vacant në organizimin e shahut në Maqedoni. Jemi shumë të kënaqur për pjesëmarrjen dhe për nivelin e shahistëve që marrin pjesë në këtë turne. Dua të falenderoj ekipin e të rinjëve të Vizionit M, të cilët janë aktiv në përgatitjet teknike dhe shahistët janë të kënaqur, pasi qëllimi i këtyre aktiviteteve është të zhvillohet shahu, të krijohen raporte të reja dhe shoqëri të reja”.

Turneu “Vizioni M” u nderua edhe nga shahist të njohur dhe të suksesshëm që pas vetes regjistrojnë pjesëmarrje në kampionate europiane të këtij sporti.

Eglantinaj Shabanaj, garuese
“Të gjithë shahistët që nga më i dobëti deri te ai më i forti, luajn shah. Me të gjithë përgjegjësia duhet të jetë e njejtë, por nëse e nënvlerësove, do e pësosh më keq se nga një shahist i fortë. Kështu që të gjithë që luajn shahë, të gjithë duan përqëndrim maksimal. Nga që unë jam një shahiste vet, e dashuroj shahun, të gjithë fëmijëve dhe të rinjëve ju them që të luajnë shah, të zhvillojnë intelegjencën, të jenë më të mirë në mësime, normalisht është një gjimnastik truri dhe pse mos ta bëjnë të gjithë?”

Nderim Saraqi, garues
“Viteve të fundit ka filluar të zhvillohet më shumë sporti i shahut. Jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë. Viteve të kaluara kemi pasur mungesë, mirëpo besoj tash ka filluar të ketë aktivitete shumë e më shumë. Këtu në Maqedoni është një plus, pasi shahu është vendosur edhe si lëndë mësimore, tek ne në Kosovë, akoma nuk është, por shpresoj që edhe tek ne kanë për të filluar. Sepse kjo do të ishte fillimi i zbulimit të talenteve, pastaj për të vazhduar nëpër klube, që trajnohen më profesionalisht”.

Nikolla Nikolvski, garues
“Shumë më vjen mirë që jam pjesë e këtij turneu. Është hera e parë që luaj në këtë turne të organizuar nga Vizioni M. Është gjithçka në rregull, ka konkurencë të madhe, pasi ka shumë lojtarë të shahut nga shtete të ndryshme dhe kjo më duket shumë mirë që shoh se shahu zhvillohet dhe ka interesim të madh”.

Organizatorët e turneut kishin vendosur edhe shpërblime për më të mirët. Fituesi i turneut, do të përfitojë 12 mijë denarë, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë nga 10 mijë respektivisht 8 mijë denarë. Gjithashtu nga organizatorët u vlerësuan edhe juniori më i suksesshëm, veterani më i suksesshëm, femra më e suksesshme dhe shahisti më i suksesshëm në kategori të ndryshme.

Gazetar: Aziz Sahiti /SHENJA/

MARKETING