(VIDEO) Një në gjashtë të rritur në Maqedoninë e Veriut përballet me obezitetin

(VIDEO) Një në gjashtë të rritur në Maqedoninë e Veriut përballet me obezitetin

Obeziteti vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha për shëndetin publik në Europë, ndërsa të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se edhe Maqedonia e Veriut përballet me një nivel të konsiderueshëm të kësaj dukurie.

MARKETING

Description of image

Sipas statistikave për vitin 2022, 15.4% e qytetarëve mbi moshën 18 vjeç në Maqedoninë e Veriut klasifikohen si obezë. Edhe pse kjo përqindje mbetet nën mesataren e Bashkimit Europian prej 16.3%, ajo tregon se afërsisht një në çdo gjashtë të rritur përballet me obezitet.

Në krahasim me vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut ka një normë më të lartë se Shqipëria (12.6%), Serbia (13.6%) dhe Mali i Zi (7.8%), ndërsa Bosnja dhe Hercegovina renditet pak më lart me 15.7%. Edhe Greqia (12.8%) dhe Rumania (12.9%) raportojnë nivele më të ulëta të obezitetit.

Në nivel europian, Malta kryeson listën me 26.6% të popullsisë së rritur që klasifikohet si obeze. Pas saj renditen Letonia (24.6%), Islanda (24.2%), Finlanda (23.2%) dhe Irlanda (22.1%). Në anën tjetër të renditjes gjenden Italia me vetëm 7% dhe Mali i Zi me 7.8%, vendet me normat më të ulëta të obezitetit në kontinent.

Mesatarja e Bashkimit Europian është rritur nga 15.2% në vitin 2014 në 16.3%, duke reflektuar një prirje të vazhdueshme që lidhet me stilin modern të jetesës. Kur analizohen edhe personat mbipeshë, situata bëhet edhe më shqetësuese. Më shumë se gjysma e të rriturve në Bashkimin Europian kanë peshë mbi normalen, duke rritur rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, diabet të tipit 2 dhe probleme të tjera kronike. Ekspertët e shëndetit publik e lidhin këtë trend me mungesën e aktivitetit fizik dhe ndryshimet në zakonet ushqimore. /SHENJA/

MARKETING