(VIDEO) Një muaj nga nata e zezë në Koçan: Hetimet thellohen, drejtësia në pritje

(VIDEO) Një muaj nga nata e zezë në Koçan: Hetimet thellohen, drejtësia në pritje

Kishin shkuar për tu argëtuar, por ajo festë u kthye në një varrë të madh. Ishte ora 3 e mëngjesit në një diskotekë të quajtur “Pulse”, në qytetin e Koçanit, ishin mbledhur shumë njerëz, shumë prej tyre të rinjë, e disa edhe të mitur, po kërcenin e këndonin, me performacën dhe këngët e grupit “ADN”. Në atë moment një zjarr që nisi nga pjesa e sipërme e diskotekës, u shpërnda me një shpejtësi aq të madhe sa shumë njerëz e pësuan në vend nga flakët. Ndërsa, kësaj fatkeqësie i “ndihmoi” edhe fakti që ajo diskotekë kishte vetëm një derë dhe e njëjta ishte e mbyllur. Nuk kishte derë të dytë, apo emergjente, nuk kishte asnjë mjet kundër zjarrit, pjesa e siperme e objektit ishte e ndërtuar me materiale që digjeshin shpejtë e lëshonin erë të rëndë, e që shkatërroi organet e frymëmarrjes së shumë personave. Në aheng ishin ndezur edhe mjete piroteknike. E objekti nga pamja e jashtme jepte një përshtypje të një vendi të braktisur që nuk përdoret për gjë, e jo më për diskotekë. Të gjitha këto faktorë ndikuan në shënimin e një tragjedia të paharrueshme për atë qytet, por jo vetëm. Të vdekur mbetën 59 persona, ndërsa më vonë gjatë kurimit të tyre jashtë vendit, vdekjes ju dorëzuan edhe dy persona. U lënduan rreth 200 persona. Qindra pacientë u dërguan për mjekim jashtë vendit, ndërsa në spitalet e vendit mbetën një pjesë e vogël e tyre të cilët ishin të lënduar më lehtë.

Policia po vazhdon arrestimin e personave përgjegjës për këtë tragjedi. Por ende nuk dihet fajtori kryesor. Një diskotekë e cila ishte lejuar të punoj për vite me radhë pa licencë përkatëse, pa kushtet qoftë edhe minimale, në të cilën lejoheshin edhe persona të mitur, sfidoi institucionet deri në thelb. Prokuroria gjithë kohës thotë se po punon për rastin, në anën tjetër qytetarët kërkojnë llogari të shpejtë për atë që ndodhi, përmes disa protestave që janë organizuar disa herë në Koçan dhe Shkup.

Deri tani janë arrestuar 60 persona fizikë dhe tre persona juridikë, përfshirë pronarin e diskotekës, kryetarët aktualë dhe ish-kryetarët e Komunës së Koçanit, ish-ministrat e ekonomisë, ish-drejtorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, si dhe zyrtarë policorë. Janë bërë një numër i madh kontrollesh, janë marrë në pyetje dëshmitarët dhe janë mbledhur mbi një mijë prova materiale. Një ditë më parë, me urdhër të prokurorit ka filluar ndalimi i shtatë policëve të tjerë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që më shumë persona të mbahen në paraburgim deri në përfundimin e hetimeve.

Ndërkohë, partitë opozitare po akuzojnë se hetimi nuk po bëhet në formë të plotë, por në mënyrë selektive duke u tentuar të shpetojnë funksionarët e VMROs-së.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING