(VIDEO) Një fëmijë dyvjeçar në gjendje kritike pas plagosjes me armë zjarri
Një fëmijë dyvjeçar, me të dhëna personale ende të panjohura, është pranuar në Klinikën për kujdesje Intensive me një plagë të rëndë nga armë zjarri në kokë, kanë njoftuar shërbimet kirurgjike kujdestare. Sipas drejtorit të Klinikës Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv, si dhe Qendra Urgjente, dr Igor Merxhanoski, fëmija ndodhet në rrezik për jetën, ashtu si edhe një burrë tridhjetëvjeçar i cili është gjetur pas një rënieje nga lartësia në zonën e Bunjakovecit dhe menjëherë i është nënshtruar një operacioni urgjent të shtyllës kurrizore.
Igor Merxhanoski, Qendra Urgjente
“Janë regjistruar edhe tre pacientë të politraumatizuar pas rënies nga lartësia. Midis tyre është një burrë 30-vjeçar, i gjetur i rrëzuar në zonën e Bunjakovecit, i cili ishte në gjendje kërcënuese për jetën. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në shtyllën kurrizore. Një pacient 16-vjeçar nga Shtipi u pranua gjithashtu në Departamentin e Neurokirurgjisë, gjithashtu pas një rënieje nga lartësia. Një rast veçanërisht serioz është një fëmijë dyvjeçar me të dhëna personale të panjohura, i cili është pranuar në kujdes intensiv me një plagë në kokë nga një armë zjarri. Fëmija është në rrezik për jetë, dhe deri më tani nuk ka informacione zyrtare në lidhje me rrethanat në të cilat ka ndodhur incidenti”.
Ai më tej theksoi se, gjatë natës u regjistruan tre aksidente trafiku, gjatë të cilave rreth 20 pacientë me lëndime të lehta u ekzaminuan dhe u liruan për trajtim shtëpiak. Një pacient 17-vjeçar nga Tetova u pranua me lëndime të rënda dhe po i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në kohën e raportimit.
Igor Merxhanoski, Qendra Urgjente
“Një plagë me armë zjarri në nyjen e bërrylit është regjistruar edhe tek një pacient nga Shkupi, dhe ngjarja ka ndodhur në Prilep. Pacienti po përgatitet për trajtim kirurgjikal. Një numër i madh lëndimesh lidhen edhe me përdorimin e mjeteve piroteknike. Ku janë pranuar gjithsej 20 pacientë, pjesë e Klinikës për Kirurgji Plastike, dhe dy fëmijë të moshës 12 dhe 13 vjeç po kujdesen në Repartin e Kirurgjisë Pediatrike, ku është planifikuar trajtim kirurgjikal. Një pacient 69-vjeçar me lëndime në parakrahun dhe dorën e majtë nga piroteknikët është pranuar gjithashtu në Klinikën e Traumatologjisë, ndërsa tre persona me lëndime të lehta do të lirohen për trajtim shtëpiak”.
Mjekët paralajmërojnë se numri i lëndimeve gjatë natës së ndërrimit të viteve është rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara, dhe disa nga rastet lidhen me konsumimin e alkoolit. Autoritetet hetimore po përcaktojnë rrethanat e incidenteve më të rënda.
Anida Murati /SHENJA/

